Jakov Milaj përfaqëson një nga personalitetet e spikatur të shkencës dhe kulturës në Shqipëri.
I lindur në Fier, më 30 mars 1912, ai, do të angazhohej herët në jetën kulturore dhe intelektuale të vendit. Aktivitetin e tij do të niste në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ku do të drejtonte shoqatën kulturore ‘’Besa Shqiptare’’, ndërkohë në vendlindje do të bëhej nismëtar dhe mbështetës për themelimin e Shoqërisë Sportive “Apolonia”.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1931, Jakov Milaj, do të punonte disa kohë si mësues në Fier dhe do të shërbente si kryetar në komunat e Bezhanit dhe të Kovaçishtit (Kolonjë).
Po kështu gjatë viteve 1930, emrin e tij e hasim si publicist në disa prej gazetave dhe revistave kryesore të shtypit të kohës. Ndërkohë do të merrte pjesë në Kryengritjen e Fierit të 14 gushtit 1935 dhe pas shpalljes se amnistisë, do të ndiqte studimet e larta në Fakultetin e Veterinarisë të Universitetit të Torinos.
I diplomuar në vitin 1939, Jakov Milaj, do të kthehej në Shqipëri ku do të niste punën si veteriner. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore ai do të shërbente për disa kohë edhe si kryedrejtor në Këshillin e Ministrave (1942), ministër i Bujqësisë dhe Pyjeve (1943), anëtar i Këshillit të Shtetit dhe i Asamblesë Kombëtare (1943-1944).

Pas Çlirimit, në vitin 1945 do të dënohej nga Gjyqi Special për disa vjet (1945-1950), ku do ti nënshtrohej edhe një periudhe internimi (1954-1955).
Më pas, do të vendosej në qytetin e Fierit dhe do të punonte si veteriner në Ndërmarrjen Bujqësore ‘’Çlirimi’’.
Gjatë kësaj kohe, Jakov Milaj, do të botonte edhe një sërë librash me karakter praktik dhe shkencor për blegtorinë, përfshirë tekste shkollore dhe universitare.
Ndërkohë vepra e tij kryesore, “Raca Shqiptare”, përbën të parin studim antropologjik në Shqipëri. I botuar në Tiranë, në janar të vitit 1944, ky libër do të ribotohej më pas edhe në Kosovë (1994) dhe në Shqipëri (1995, 2005).
Jakov Milaj do të ndërronte jetë më 2 janar të vitit 1997. Për kontributin dhe veprimtarinë e tij është nderuar me titullin ‘’Qytetar Nderi’’ i Fierit, ndërsa një rrugë e qytetit mban emrin e tij.
