Home Lajme nga Fieri Sulmi ndaj drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit i ngjan qitjes...

Sulmi ndaj drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit i ngjan qitjes me barut të lagur! – Nga Vladimir Muçaj

Nga Vladimir Muçaj:Mbi debatin për emërimin e Skënder Hita.

Emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit ka hapur një debat të menjëhershëm publik, ku nuk kanë munguar as kritikat nga përfaqësues të opozitës. Në një klimë politike të tensionuar, reagime të tilla janë të pritshme, por ajo që meriton vëmendje është natyra dhe niveli i këtij debati.

E njoh Skënder Hitën në raportin profesional gazetar–institucion dhe jo në marrëdhënie personale. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi im nuk lidhet me simpati apo interesa, por me atë çfarë kam parë dhe pasqyruar ndër vite. Nuk kam qenë dhe nuk jam nga ata që i bëjnë jehonë pushtetit pa kriter. Përkundrazi, kam mbajtur qëndrime kritike dhe shpeshherë përplasëse ndaj drejtuesve të paaftë apo të dyshuar për abuzim në strukturat e policisë, veçanërisht në qarkun Fier.

Këto përplasje kanë qenë të hapura dhe, në raste të caktuara, edhe në dyert e gjykatave.

Në këtë kuptim, dallimi që bëj sot është i vetëdijshëm dhe i argumentuar.

Gjatë detyrës së tij në Fier, Hita ka krijuar profilin e një drejtuesi korrekt, i vlerësuar si nga trupa policore, ashtu edhe nga opinioni publik.

Veprimtaria e tij është karakterizuar nga ndërhyrje profesionale në parandalimin e ngjarjeve të rënda dhe në identifikimin e elementëve kriminalë.

Një tjetër element që e dallon është fakti se nuk ka kërkuar ekspozim mediatik për sukseset e arritura – një cilësi që në realitetin tonë shpesh mungon dhe përbën një vlerë më vete.

Pas emërimit në detyrën më të lartë të Policisë së Shtetit, reagimet nga disa figura të opozitës, si Gazment Bardhi, Klevis Balliu dhe Sali Berisha, kanë qenë të menjëhershme dhe kritike.

Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa e një analize konkrete mbi figurën dhe performancën e tij profesionale.

Debati politik është i nevojshëm në një shoqëri demokratike, por ai humbet vlerën kur mbështetet vetëm në retorikë dhe jo në fakte.

Kritika duhet të jetë e argumentuar dhe e bazuar në prova, përndryshe rrezikon të perceptohet si pjesë e një diskursi të zakonshëm politik, që nuk i shërben as transparencës dhe as interesit publik.

Në vijim të këtij debati, vlen të theksohet se retorika e përdorur nga disa përfaqësues politikë dhe individë që vetëquhen “burime investigative” në Fier, nuk i shërben as transparencës dhe as etikës së komunikimit publik.

Gjatë fushatës zgjedhore të 11 Majit, prania dhe roli aktiv i Gazment Bardhi në terren ka qenë objekt diskutimi edhe brenda vetë strukturave politike që ai përfaqësonte, ndërsa pas rezultatit zgjedhor në Qarkun Fier – një ndër më të dobëtit në vite – është vënë re një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen përmes akuzave të pabazuara ndaj strukturave të rendit.

Përfshirja në këtë linjë edhe e figurave si Sali Berisha, si dhe zërave periferikë që pretendojnë rol investigativ pa standarde profesionale, e deformon debatin dhe e largon atë nga analiza reale e shkaqeve të humbjes.

Në mungesë të fakteve konkrete, çdo tentativë për të njollosur Policinë e Shtetit apo drejtues të caktuar të saj mbetet një narrativë e dobët politike, e destinuar më shumë për konsum të brendshëm sesa për informim të drejtë të opinionit publik.

Në fund, çdo emërim duhet të gjykohet mbi bazën e rezultateve dhe integritetit profesional.

Koha do të tregojë nëse Hita do të arrijë të përmbushë pritshmëritë në këtë detyrë sfiduese, por paragjykimi i menjëhershëm pa një bazë të qartë nuk i shërben as institucioneve dhe as besimit të publikut.

Sulmi ndaj drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit, ndaj nje oficeri kariere me rezultate pozitive kudo ai ka drejtuar i ngjan qitjes me barut të lagur!