Në Ditën Botërore të Autizmit, në mbarë botën mbetet shqetësim madhor rritja e rasteve të fëmijëve të diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik.
Edhe në qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe “Horizont” në Fier, nga viti në vit vihet re një shtim i rasteve.
Sipas drejtorit të kësaj qendre, Enri Lulaj, aktualisht trajtohen 35 fëmijë, ndërsa nga 12 raste të reja, 5 prej tyre janë me spektrin autik.

Prej dy vitesh në qendrën “Horizont” është ulur në 3 vjeç mosha e trajtimit për fëmijët me aftësi ndryshe, një hap që ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e gjendjes së tyre.
Gjithashtu, nisma e fundit e qeverisë për njohjen si vite pune të kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar vlerësohet si shumë pozitive.
Sipas Lulajt, shumë prindër e kanë të pamundur të punojnë, pasi janë të detyruar të kujdesen për fëmijët e tyre.
Ndërkohë, përveç mesazhit për prindërit, apeli i kreut të qendrës shkon edhe për gjithë shoqërinë.
Ai thekson se, fatkeqësisht, fëmijët me aftësi ndryshe shpesh përballen me bullizëm, ndaj bën thirrje për më shumë pranim, mirëkuptim dhe mbështetje, në mënyrë që këta fëmijë të kenë mundësinë të zhvillojnë potencialin e tyre maksimal.





