Home Lajme nga Fieri “Bashkimi i Fierakëve në Greqi” nderon me çmim të veçantë artistët e...

“Bashkimi i Fierakëve në Greqi” nderon me çmim të veçantë artistët e njohur fierak, Miti Nushi dhe Llazar Pove

Aktiviteti “Një jetë në këngë” u përmbyll me shumë sukses, në një atmosferë të ngrohtë, plot emocion, krenari dhe mall për vendlindjen, duke bashkuar zemrat e fierakëve kudo që ndodhen.

Na ndiqni në Instagram

Na nderoi me prezencën e saj Ambasadorja e Republikës se Shqipërisë në Greqi z.Luela Hajdaraga, së bashku me Sekretaren e Parë të Ambasadës, z.Joneda Dodaj,si dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë të dashur Fier, Armando Subashi.

Ky aktivitet ishte një homazh i veçantë dhe thellësisht emocional për kontributin e çmuar të artistëve fierakë Miti Nushi dhe Llazar Pove, të cilët me vite të tëra përkushtimi, sakrifice dhe dashurie për artin kanë mbajtur gjallë shpirtin e këngës qytetare fierake.

Ata nuk kanë dhënë vetëm zë këngës, por kanë ruajtur kujtesën, traditën dhe identitetin tonë, duke e përcjellë atë brez pas brezi.

Shoqata “Bashkimi i Fierakëve në Greqi – Apollonia” pati nderin të vlerësojë ikonat e këngës qytetare fierake, Miti Nushi dhe Llazar Pove me titullin e larte” Anëtar Nderi ”

Momenti kulmor i mbrëmjes ishte vlerësimi i dhënë nga Kryetari i Bashkisë z.Armando Subashi, u akordoi titullin “Krenaria e Qytetit” – një mirënjohje e merituar për një jetë të tërë në shërbim të këngës dhe kulturës.

Pas këtyre vlerësimeve, atmosfera u gjallërua nga interpretimet e grupit “Na bashkoi kënga fierake”, të cilët sollën emocione të thella dhe një ndjesi të bukur bashkimi përmes muzikës që na lidh me rrënjët tona.

Më pas, mbrëmjes i shtoi edhe më shumë shkëlqim këngëtarja e mirënjohur Era Rusi, e cila me repertorin e saj nga të gjitha trevat shqiptare dhuroi emocione të veçanta dhe e ngriti atmosferën në një nivel tjetër artistik.

Nder për ne ishte dhe prania e grupit të valles “Na bashkoj vallja Popullore”,e drejtuar nga koreografia e talentuar Irma Sukni.

Atmosferën e pasuruan edhe prezenca e artistëve dhe miqve të veçantë: këngëtarja fierake dhe “Qytetare Nderi” Sofika Hodo, aktori i humorit “Artisti i Merituar” Arqile Lipe, si dhe aktori i mirënjohur në emigracion Nikolla Llambro, i vlerësuar në Samitin e Diasporës me titullin “Shqiponja e Artë”.

Një vlerësim i veçantë dhe mirënjohje e thellë shkon për gazetarin e emigracionit Vladimir Selamaj, i cili me punën e tij të palodhur dhe përkushtimin e vazhdueshëm është bërë zëri i komunitetit tonë këtu në Greqi, duke përcjellë çdo aktivitet dhe duke mbajtur gjallë lidhjen tonë me njëri-tjetrin dhe me atdheun.

Na nderoi gjithashtu fotografi dhe kameramani i përkushtuar Sokoli Satelite , gjithmonë i pranishëm për të fiksuar momentet më të bukura të aktiviteteve tona.

Vlerësim maksimal dhe mirënjohje e veçantë për Kafen “Argjiro”, e cila me bujari dhe zemërgjerësi na shërben falas gjithmonë kafenë , duke na sjellë më pranë shijen e mëmëdheut.

Mirënjohje dhe vlerësim për bashkëpunimin shkojnë për shoqatat mike: “Me Ju për Ju” me kryetare Juna Bici,Shoqata “Emigranti” Patra me kryetare Kristiana Veliu, “Sofra Tiranse” me kryetare Lindita Kulla, si dhe për shoqatën e sapokrijuar “Naftëtari Patos” me nismëtar dhe kryetar z.Arben Cici.

Një falënderim i veçantë për z. Artur Shehu dhe agjencinë turistike “Art Tur” për mbështetjen me transportin.

Qershia mbi tortë ishte dhe kënga e shoqatës sonë,dhuratë e artistëve tanë të nderuar,e cila u këndua nga të gjithë ne me shumë emocion dhe dashuri!

Me mirënjohje të thellë falënderojmë kryesinë e shoqatës, anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti fantastik, si dhe çdo pjesëmarrës që na nderoi me praninë e tij.

“Një jetë në këngë” nuk ishte thjesht një aktivitet, por një udhëtim emocional nëpër vite, një dëshmi e gjallë e dashurisë për Fierin, për artin dhe për rrënjët tona që na bashkojnë gjithmonë!

Bashkimi i Fierakeve ne Greqi – Ένωση Συντοπιτών Φιέρι – “Apollonia”