Home Aktualitet 205 mld lekë të ardhura në 3 muajt e parë të vitit!...

    205 mld lekë të ardhura në 3 muajt e parë të vitit! Sa do të përfitojnë fermerët nga kompensimi

    Ministri i Financave, Petrit Malaj paraqiti bilancin e 3 muajve të parë të vitit, ku vihet re një rritje pozitive e shifrave, krahasuar me 2025-ën.

    Na ndiqni në Instagram

    Në këto 3 muaj, janë plot 205.1 miliardë lekë të ardhura. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, 13.3% më shumë.

    “Kemi 110 milion euro më shumë të ardhura se sa kishim planifikuar. Rritja nuk ka ardhur si rezultat i rritjes së taksave apo tatimeve, por një mirëadministrimi tatimor dhe doganor”, deklaroi Malaj.

    Shpenzimet, totali në masën 156 miliard lekë, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2025, rritje me 5.9%.

    45.7 miliardë lekë, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, 3.7 miliardë lekë më shumë se në 3 muajt e parë të 2025-ës.

    “Janë disa faktorë për rritjen ekonomike, formalizimi i ekonomisë, ka një xhiro të deklaruar më të drejtë, konsumi i brendshëm që mbetet i fortë, performancë të mirë të sektorit të shërbimit dhe tregtisë”, argumentoi ministri.

    Gjatë 3-mujorit të parë të vitit janë regjistruar 13 825 punonjës më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

    Malaj theksoi se ka pasur një rritje të deklarimit të pagave në të gjithë sektorët e ekonomisë, veçanërisht në fashat 70 mijë-100 mijë lekë dhe 100 mijë-120 mijë lekë, ku është shënuar rritje respektivisht me 25% dhe 26% krahasuar me marsin e vitit 2025.

    Sipas tij, në sektorin e ndërtimit rritja e deklarimeve të pagave është edhe më e theksuar, duke arritur në 81% në fashën 70 mijë-100 mijë lekë dhe 61% në fashën 100 mijë- 120 mijë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Në sektorin e turizmit, rezulton një rritje e ndjeshme e deklarimit të pagave, me 34%.

    Malaj shtoi se tatimi mbi pagën ka shënuar rritje si në sektorin privat, me 17.1% më shumë se në 3-mujorin e parë të vitit 2025, ashtu edhe në sektorin publik, me një rritje prej 9%.

    Deklarata individuale e të ardhurave (DIVA)

    Janë dorëzuar 164 263 deklarata, ose 25% më shumë se në vitin 2025.

    77 077 përfitues nga skema për fëmijët nën 18 vjeç.

    1.4 miliard lekë është shuma totale e gjeneruar nga sistemi për rimbursim për individët me tepricë kreditore.

    Vetëm 670.2 milionë lekë janë kërkuar deri tani për t’u tërhequr si rimbursim monetar.


    Kompensimi i TVSH-së në bujqësi do të realizohet prej datës 1 korrik 2026.

    5 642 është numri i fermerëve në transaksione me blerësit me TVSH, 20% më shumë krahasuar me 2025-ën.

    448 është numri i blerësve me TVSH në transaksione me fermerët, 16.1% më shumë krahasuar me 2025-ën. 113 470 është numri i fermerëve me NIPT.

    Shuma potenciale për kompensim për 3 muajt e parë të këtij viti, përllogaritet rreth 400 milionë lekë.

    “Këto janë disa nga treguesit e efekteve të politikës së re tatimore për vitin 2026 për kompensimin në masën 10% të TVSH-së. Gjej rastin t’i bëj thirrje subjekteve grumbullese dhe përpunuese, që të leshojnë autofatura për fermerët, pasi në të kundërt do të jenë subjekt i kontrolleve nga Administrata Tatimore”, ishte apeli i ministrit.


    “Jemi duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën, edhe si do të reagojë tregu për rritjen e çmimeve, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që sugjerojnë që qeveria duhet të fokusohet te grupet vulnerabël sa herë marrim masa apo ndërhyjmë në treg”, deklaroi Malaj kur u pyet lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve të karburanteve dhe jo vetëm.

    Ministri u pyet edhe për kompanitë që kanë kryer mirëmbajtjen e AKSHI-t dhe procesin e pagesave të kontratave, në një kohë kur dosja e AKSHI-t është nën hetim nga SPAK.

    Ai u shpreh se Ministria e Financave alokon buxhetet për të gjitha institucionet buxhetore, ndërsa janë vetë këto institucione që vendosin dhe vlerësojnë për kryerjen e pagesave ndaj furnitorëve, edhe nëse ka shanse që llogaritë bankare të këtyre të fundit të jenë sekuestruar.

    Sipas Malajt, ky informacion nuk administrohet nga Ministria e Financave, pasi buxheti shpërndahet në fillim të vitit dhe më pas menaxhimi i shpenzimeve dhe pagesave i takon institucioneve përkatëse.

    /tvklan.al