Home Lajme nga Fieri ‘Parku i bletëve’ me sensorë dhe inteligjencë artificiale! Nxënësit e Patosit triumfojnë...

‘Parku i bletëve’ me sensorë dhe inteligjencë artificiale! Nxënësit e Patosit triumfojnë në festivalin e shkencës

Nxënësit e “Zhani Ciko”-s në Patos kanë njohuri të mira shkencë dhe janë të talentuar ndaj trimfuan në Festivalin e Shkencës me projektin “Parku Inteligjent i Bletëve”. Për Report TV, ata rrëfejnë për herë të parë, detajet e këtij parku inovativ, i cili funksionon me sensorë, kamera dhe sisteme kompjuterike që monitorojnë në kohë reale jo vetëm bletët por dhe sigurinë e vizitorëve.

Na ndiqni në Instagram

Ndryshe nga një park bletësh i zakonshëm, parku inteligjent funksionon me sensorë, inteligjencë artificiale dhe sisteme automatike alarmi.

“Parku Inteligjent i Bletëve” eshte realizuar nga gjimnazistet e “Zhani Ciko”-s në Patos dhe monitoron në kohë reale lëvizjen e bletëve, kontrollon cilësinë e ajrit, temperaturën, lagështinë, menaxhon sigurinë e vizitorëve dhe sinjalizon rreziqet.

“Jemi fokusuar te bleta, pasi ajo polenizon shumë kultura bujqësore dhe ka ndikim të madh në jetën tonë. Projekti synon të integrojë teknologjinë e gjelbër me bletarinë dhe mbrojtjen e mjedisit”, thotë nxënësi Sokol Baxhia.

Në hyrje të parkut, çdo vizitor regjistrohet përmes një sistemi check-in dhe plotëson të dhënat mbi alergjitë, për të minimizuar rrezikun nga pickimet.

“Kemi krijuar aparatura teknologjike me sisteme IoT, pajisje inteligjente me sensorë dhe internet, që monitorojnë dhe menaxhojnë automatikisht të dhënat në kohë reale. Këtu përfshihet sistemi check-in për vizitorët”, shton ai.

Risia tjetër është radari që monitoron bletët në ajër dhe inteligjenca artificiale që analizon të dhënat. Parku ka edhe kamera inteligjente për lokalizimin e personave brenda hapësirës.

“Projekti përfshin radar të integruar në park për monitorimin e bletëve në ajër. Të dhënat analizohen nga një agjent AI, i cili ndihmon vizitorët të shmangin zonat me rrezik. Kemi edhe kamera inteligjente që lokalizojnë personat brenda parkut”, thotë Baxhia.

Projekti integron bujqësinë inteligjente përmes sistemit vadites SIMBA.

“Monitoron tokën dhe kulturat bujqësore, kontrollon vaditjen dhe shton kripëra minerale sipas nevojës. Për energjinë përdorim panele diellore lëvizëse që mbledhin rrezet e diellit gjatë gjithë ditës”,s hton ai.

Një tjetër komponent inovativ është sistemi kundër zjarrit.

“Nisur nga rastet kur bletët janë djegur nga zjarret, si në Sarandë, sistemi ynë arrin të parashikojë zjarrin 3 sekonda përpara dhe sinjalizon administratën e parkut për të ndërhyrë në kohë”, thotë ai.

Projekti përfshin dhe prodhimin e biodiesel-it nga algat dhe kultivimin e spirulinës për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

I realizuar nga pesë nxënës të gjimnazit “Zhani Ciko”, me ndihmën e mësueseve Erviola Konomi dhe Selam Serjani, pas katër muajsh pune, “Parku Inteligjent i Bletëve” u shpall fitues në Festivalin Kombëtar të Shkencës, duke sfiduar 300 projekte nga gjimnazet e gjithë vendit.

U.D/I.M/Shqiptarja.com