Home Lajme nga Fieri Zgjerohet kultivimi i luleshtrydhes në Fier, 60% e prodhimit shkon për eksport

Zgjerohet kultivimi i luleshtrydhes në Fier, 60% e prodhimit shkon për eksport

Qarku i Fierit po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga zonat kryesore të prodhimit të luleshtrydhes në vendin tonë, duke u kthyer në model të zhvillimit bujqësor të orientuar drejt tregut dhe eksportit.

Na ndiqni në Instagram

Në zonat e Cakranit, Frakullës dhe Kafarajt, sipërfaqet e mbjella me luleshtrydhe janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, ku fermerët kanë investuar në sera moderne dhe teknologji të avancuara kultivimi.

Ndërsa sezoni i luleshtrydhes ndodhet në pikun e vet duke mbushur tregjet, ekipi i ATSH-së sjell pamje nga fushat e mbjella me frutin e shijshëm që ka krijuar  panoramë karakteristike për zonën. Gjithkush që shkon drejt jugut e kalon në Levan nuk mund të mos ketë vënë re serat e mbjella me luleshtrydhe.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë Fier, aktualisht në territorin e Bashkisë Fier kultivohen rreth 130 hektarë me luleshtrydhe, të shpërndara në rreth 250 ferma. Rendimenti mesatar i luleshtrydhes arrin në 600 kv/ha, duke reflektuar përmirësimet në teknologjinë e kultivimit dhe praktikat bujqësore të përdorura nga fermerët.

Pesha kryesore e prodhimit përqendrohet në Njësinë Administrative Frakull, ku kultivohen rreth 110 hektarë, duke e kthyer këtë zonë në një nga bërthamat kryesore të prodhimit të luleshtrydhes.

Referuar statistikave sipërfaqet e mbjella me luleshtrydhe kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, ndërsa këtë vit rendimenti i paraqitet më i lartë krahasuar me vitin 2025, falë kushteve të favorshme klimatike dhe përdorimit të teknikave më të avancuara të kultivimit.

Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit është e orientuar drejt eksportit.

Sipas statistikave zyrtare, rreth 60% e luleshtrydhes së prodhuar në Fier shkon për tregjet e huaja, kryesisht në vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian, duke rritur të ardhurat për fermerët dhe duke forcuar rolin e këtij sektori në ekonominë vendase.

Zgjerimi i kësaj kulture bujqësore dhe kërkesa në rritje për produktin “Made in Albania” po e shndërrojnë luleshtrydhen në një nga kulturat më premtuese për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe rritjen e eksporteve shqiptare.