Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, zhvilloi një vizitë në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë, ndërkohë deklaroi se ky spital është një simbol i miqësisë turko-shqiptare, raporton Anadolu.
Ambasadori Erciyes është takuar me drejtuesit e spitalit dhe stafin, ndërkohë është njohur nga afër me teknologjinë dhe shërbimet që ofron spitali që është hapur prej disa vitesh.
Në një deklaratë për Anadolu, duke kujtuar se spitali u ndërtua në një kohë shumë të shkurtër gjatë pandemisë në vitin 2021, ai tha se mjekët dhe profesionistët turq të kujdesit shëndetësor punojnë në spital së bashku me mjekët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor shqiptarë.
“Spitali, falë mjekëve tanë dhe falë shërbimit cilësor që ofron, është bërë një nga spitalet më të preferuara të Shqipërisë”, tha ambasadori turk.

Duke i cilësuar mbresëlënëse si kushtet fizike ashtu edhe shërbimin e ofruar, Erciyes tha se qytetarët e falënderojnë Turqinë.
“Ky spital është vërtet një simbol i plotë i miqësisë Turqi-Shqipëri. Është një tregues se sa gjëra të bukura mund të bëjnë së bashku dy vendet. I falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuuan në hapjen e këtij spitali. I falënderoj shumë të gjithë ata që mundësojnë që ky spital të ofrojë një shërbim kaq të mirë, si personelin turk ashtu edhe personelin shqiptar. Jam i sigurt se këto shërbime të bukura do të vazhdojnë. Edhe ne, si Turqi, do të vazhdojmë gjithmonë mbështetjen tonë këtu” tha Erciyes.
Drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit Rajonal Memorial në Fier, Rudina Degjoni, deklaroi se ambasadori Erciyes zgjodhi këtë ditë të veçantë për Turqinë (Ditën e Përkujtimit të Ataturkut dhe Ditën e Rinisë dhe Sportit) që të vizitojë spitalin.
“I prezantuam (ambasadorit) spitalin dhe pamë nga afër të gjitha shërbimet, inovacionet në shëndetësi që ne kemi sjellë në sistemin tonë publik, por nga ana tjetër i treguam fuqizimin e marrëdhënieve tona vëllazërore Shqipëri-Turqi.
Jemi tashmë një spital i konsoliduar pesë vjeçar këtu në rajonin e jugut që kemi ofruar shërbime shëndetësore cilësore për mbi 180 mijë qytetarë dhe janë mbi 1 milion e gjysmë shërbime të ofruara nga ekipi ynë falë bashkëpunimit të ekipit shqiptar dhe turk”, tha Degjoni.
Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë. Spitali u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë, spitali menaxhohet për një periudhë disavjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare.
Spitali Memorial Rajonal në Fier ka marrë kartën e autonomisë financiare, ndërkohë është spitali i parë publik në Shqipëri që ka përfituar më parë kartën e autonomisë menaxheriale.
Ambasadori Erciyes zhvilloi gjithashtu takime të ndara edhe me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe prefektin e Fierit, Anduel Xhindi.





