Punimet kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë, kanë nxitur protesta nga organizata mjedisore dhe banorë të zonës, të cilët kundërshtojnë projektin që po zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Gjatë protestës së zhvilluar të shtunën, protestuesit tentuan të hyjnë në kantierin e ndërtimit, ndërsa u përballën me punonjës të sigurisë private të kontraktuar nga kompania. Në pamjet e publikuara nga vendngjarja shihen momente tensioni, ndërsa raportohet se është përdorur spraj me piper ndaj protestuesve por edhe Policisë së Shtetit.
Ngjarja ka ngjallur reagime publike për shkak të pranisë së punonjësve të sigurisë private me fytyra të mbuluara dhe përdorimit të mjeteve të forcës gjatë përballjes me protestuesit.
Ndërkohë, edhe qeveria ka reaguar për projektin. Kryeministri Edi Rama deklaroi se prona ku po zhvillohet investimi është pronë private dhe jo tokë shtetërore, duke mohuar pretendimet për falje të pasurisë publike.
Sipas Ramës, investitorët kanë sigu uar pronën nga pronarë privatë dhe projekti po zhvillohet mbi këtë bazë.
Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka nisur punimet përgatitore dhe rrethimin e kantierit bazuar në lejen e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.
“Më vjen natyrshëm të them edhe për këtë zhurmën e madhe që është ngritur për një lajm të rremë sa s’thuhet, që me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë, sepse nuk po fal asgjë, sepse shteti atje nuk ka asgjë, sepse është një pronë private dem baba dem. Investitorët që janë përfshirë atje, janë tejet seriozë, të cilët e kanë marrë nga privatët. Ndërkohë që shteti po, shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është Ishulli i Sazanit, ku ende sot nuk kanë mbaruar negociatat, pasi korporata shqiptare e investimeve është pjesë e projektit.
Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka shqiptare e ishullit, do të jetë aty e shtetit shqiptar. Koncesioni i markimit të naftës dhe të pullave fiskale kanë qenë të dështuara. Sot nuk janë më koncesione, por janë aktivitet të ligjzbatimit, që po i bën një kompani publike me përfshirjen e një partneriteti shtetëror që janë Emiratet e Bashkuara dhe me ekselencën që vjen pastaj nga privati”, tha kryeministri Rama dje.
Zona e Zvërnecit dhe e Pishë Poros është një prej zonave bregdetare më të njohura të jugut të Shqipërisë dhe mban statusin e Peizazhit të Mbrojtur. Ajo përfshin lagunën e Nartës dhe disa monumente natyrore, të njohura për biodiversitetin dhe praninë e shpendëve migrues./L.F-dritare.net





