Avokatja dhe notarja shqiptaro-australiane Eva Buzo është rikthyer sërish në Vlorë për të realizuar një tjetër sfidë sportive në ujërat e Jonit.
Ajo ju bashkua protestës së banorëve në Zvërnec kundër resortit.
Notarja e rekordeve u nis me not nga Radhima, përshkroi me not ishullin e Sazanit dhe mbërriti në plazhin e Dalanit në Zvërnec duke thirrur atdhe.
“Shpresoj që të mbetet e paprekur dhe që të gjithë shqiptarët të mund të vazhdojnë të shijojnë natyrën e bukur që kanë. Faleminderit shumë që erdhët dhe jam vërtet mirënjohëse ndaj aktivistëve që mbështetën këtë nismë.
Jam këtu për të dhënë mbështetjen time për njerëzit e mrekullueshëm të Shqipërisë, të cilët po përdorin zërin e tyre për të folur për çështjet që kanë rëndësi për ta. Është shumë e rëndësishme që të dëgjojmë të rinjtë, të mbrojmë mjedisin tonë dhe t’u kërkojmë llogari qeverive tona”, tha ajo.
Dy vite më parë, Buzo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, kur realizoi me not distancën nga brigjet e Italisë drejt Karaburunit.





