Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në disa qarqe të vendit pritet rrezik i lartë për zjarre, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve.
Sipas parashikimit, niveli i rrezikut do të jetë “i lartë” në qarqet Lezhë, Durrës dhe Fier.
Ndërkohë, në qarqet Shkodër, Tiranë, Berat dhe Vlorë pritet nivel rreziku “i moderuar”, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër niveli i rrezikut do të jetë “i ulët”.
Instituti thekson se në disa zona të qarqeve Shkodër (jug), Tiranë (perëndim), Berat (perëndim) dhe Vlorë (veriperëndim), rreziku mund të arrijë lokalisht në nivel “të lartë”, ndërsa situata më kritike parashikohet gjatë ditës së nesërme.
Sa i përket kushteve atmosferike, nuk priten reshje as sot pasdite dhe as nesër.
Temperaturat nesër pritet të variojnë nga 21 deri në 31°C në zonat bregdetare, nga 19 deri në 34°C në zonat e ulëta dhe nga 13 deri në 27°C në zonat malore.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa herë pas here në zonat malore dhe përgjatë bregdetit pritet të jetë e fortë.





