Lidhja mes nënës dhe fëmijës nis që përpara lindjes dhe zhvillimi i tij vazhdon edhe pas ardhjes në jetë. Përmes kësaj lidhjeje të veçantë, fëmija arrin të perceptojë emocionet, gjendjen dhe reagimet e nënës, duke krijuar bazat e para të komunikimit dhe të sigurisë emocionale.
Sipas pediatres së mirënjohur Lira Gjika, e ftuar sot, më 23 korrik, në emisionin “Shije Shtëpie”, ushqyerja me gji është një nga mënyrat e para përmes së cilës fëmija njeh nënën dhe krijon lidhjen me të. Sipas saj, procesi i të mësuarit nis që me ushqyerjen dhe kontaktin e parë të fëmijës me gjirin e nënës.
“Sa më shumë fëmija të zbulojë nënën, aq më shumë botë apo univers zbulon. Jeta fillon në trupin e nënës dhe, teksa fëmija dëgjon tingullin e zemrës së nënës, rregullon edhe të rrahurat e zemrës së vet. Pasi vjen në jetë, duhet shumë kujdes. Mjedisi ku ka një nënë dhe një fëmijë në gji duhet të jetë i vëmendshëm dhe i butë.”
Pediatria pohoi se qumështi i gjirit që prodhon nëna është personal dhe asnjë qumësht formule nuk mund ta zëvendësojë, pasi çdo nënë prodhon qumësht të përshtatur me nevojat e fëmijës së saj.
Në rastet kur nëna nuk ka dëshirën apo vullnetin për ta ushqyer foshnjën me qumësht gjiri, sipas mjekes Gjika, është më mirë të mos e bëjë këtë me detyrim.
“Është e studiuar që nëse nëna nuk dëshiron ta ushqejë me qumësht gjiri, më mirë mos ta ushqejë me zor, sepse i transmeton atë neverinë e vet, pasi ka plot nëna që nuk e përjetojnë mirë periudhën e gjirit. Sado i shëndetshëm të jetë ushqimi, nëse ia transmeton nëpërmjet neverisë, është po aq i dëmshëm sa çdo ushqim i dëmshëm. Prandaj kanë dalë edhe këto kurset që ta përgatisin nënën që ta ushqejë të paktën 6 muaj me gji fëmijën.”
Sipas pediatres, ushqyerja vetëm me gji e një fëmije gjatë vitit të parë të jetës mund të jetë e pamjaftueshme, pasi, sipas saj, truri i fëmijës ka nevojë për proteinën shtazore për t’u zhvilluar dhe rritur.
Ajo pohoi se kalimi në ushqyerjen me lugë në muajin e gjashtë lidhet drejtpërdrejt edhe me zhvillimin e të folurës së fëmijës.
“Gjiri sa ç’është i mirë dhe ta mbyll gojën. Varësitë fillojnë nga ushqyerja me gji. Prandaj duhet shkëputur në një vjeç, ja do ta çosh deri në dy vjeç, jo më shumë. Fëmija duhet shkëputur kur nëna ndihet e lodhur. Ka teknika, nuk mund ta heqësh menjëherë. Duhet hequr gjiri, të hapet goja që të flasë.”
Sipas pediatres, në 1000 ditët e para të jetës së një fëmije ndërtohet një pjesë e madhe e bazës së zhvillimit të tij, e cila do të ndikojë gjatë gjithë jetës.
/tvklan.al





