Mori dokumentin sekret, Agron Shehaj përjashtohet 60 ditë nga punimet e Kuvendit

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ështëq përjashtuar me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, me vendim të marrë nga Sekretariati i Etikës këtë të martë, 28 korrik.

Arsyeja e përjashtimit të tij, lidhet me marrjen e dokumentit me informacion të klasifikuar të marrëveshjes me SHBA-të.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, mbajti një konferencë për shtyp nga ambientet e jashtme të Kryesisë së Kuvendit lidhur me përjashtimin e Shehajt. Ai u shpreh se rasti i ligjvënësit të opozitës është i përsëritur dhe i paprecedent.

Manja dënoi edhe incidentin me punonjësen e administratës së Kuvendit.

“Rasti i Shehajt është rast i përsëritur. Sekretariati për procedurat, votimet dhe etikën, edhe herë të tjera ka marrë masa disiplinore ndaj deputetit Shehaj. Rasti i djeshëm, në vlerësimin tonë si sekretariat, pjesa e maxhorancës, sepse votimi u nda 4-3, e ndau vota e sekretarit, sepse ju e dini tashmë që në sekretariat jemi me një numër të barabartë votash, 3 maxhoranca, 3 opozita, por vota e sekretarit, që në rastin konkret jam unë, ndan votimin 4-3. Rasti është i paprecedentë, të paktën për mua si sekretar në kaq vite që jam deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ku të jetë fshirë vija e respektit reciprok ndërmjet deputetëve, por dhe stafeve që na mundësojnë të ushtrojmë detyrën tonë si deputet. Është shumë i qartë deklarimi i kryetarit të Kuvendit dje, që dokumenti është konfidencial dhe deputetët ftohen ta lexojnë sipas rregullave të përcaktuara në sallën ‘Gerti Bogdani’. Do të thotë që secili prej deputetëve, kundrejt nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit, e merr atë dokument, ulet dhe e lexon në atë sallë dhe përsëri e dorëzon atë dokument punonjëses së ngarkuar me këtë detyrë, që në rastin konkret, zonja ishte dhe këshilltare e Komisionit të Sigurisë, në dijeninë time. Lexon dokumentin dhe e lë aty. Zoti Shehaj, e patë të gjithë publikisht, e mori dokumentin, e nxori jashtë sallës, por përsëri brenda mjediseve të Kuvendit, ama deklarimi publik i kryetarit të Kuvendit ishte që kjo marrëveshje do të lexohet në sallën ‘Gerti Bogdani’. Pastaj i keni parë të gjitha ato pamje, se ka një lidhje shkak-pasojë, të gjitha ato pamje të rënda që mua s’më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj punonjëses sonë, që dje u lëndua nga ky veprim, shërim sa më të shpejtë dhe sinqerisht uroj që kjo të mos ndodhë më. Ky rast të jetë i pari dhe i fundit ku shkelet kjo vijë respekti”, u shpreh Manja.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë (27 korrik), kur Shehaj u paraqit në sallë në Kuvend për tu njohur me detajet e marrëveshjes së huas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e mbrojtjes së jashtme.

Por ai nuk qëndroi gjatë në sallë dhe pasi siguroi një kopje të marrëveshjes në fjalë tentoi të largohej me vrap, ndërsa punonjësja e Kuvendit tentoi ta ndaloi.

Ky akt u cilësua si i paligjshëm nga kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili në një reagim në rrjetet sociale tha se Shehaj duhej arrestuar në kushtet e flagrancës pasi ka vjedhur një dokument të klasifikuar.

Madje i bindur se akti i Shehajt përbën shkelje penale, i kërkoi Kuvendit ta referojë rastin edhe ne SPAK me dyshimin se ai ka kryer 5 vepra penale që cënojnë sigurinë kombëtare, pasi dokumentin e marrë mund ta dorëzonte te aktorët e tjerë.

/tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *