Rama: Familja Hasani nga Thethi përfiton lejen e parë të Paketës së Maleve

 Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Territorit u miratua leja e parë në kuadër të Paketës së Maleve, përfituese e së cilës është familja Hasani nga Thethi.

Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga projekti fitues, ndërsa theksoi se Paketa e Maleve u krijon mundësi trashëgimtarëve të investojnë në trojet e të parëve dhe të rikthejnë në jetë shtëpitë e trashëguara.

“Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve, në vendlindje, dhe të kthehet në Shqipëri”, shkroi Rama.

Sipas Kryeministrit, Paketa e Maleve u jep mundësi trashëgimtarëve që, “me ligj e jo vetëm me zakon”, të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve ose të zhvillojnë aktivitete ekonomike në pronat e trashëguara.

“Kjo është Paketa e Maleve, paketa e trashëgimtarëve që tanimë, me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo të zhvillojnë agroturizëm, prodhim bujqësor e blegtoral, si edhe agropërpunim, në tokat e të parëve të tyre”, theksoi Rama duke shtuar se “të tjerat, siç thoshte At Gjergj Fishta, janë DOKRRA HINI”.

Lidhur me ecurinë e programit “Paketa e Maleve” janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi në 52 bashki të vendit, ndërsa numri i aplikimeve të miratuara ka kaluar 1200.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *