Qarku Fier në vend të parë/ ‘Territorialja’, PD prezanton hartë me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone!

Dy vizione krejt të kundërta për hartën administrative të vendit kanë mazhoranca e opozita, 15 bashki më pak thonë socialistët, 39 më shumë propozojnë demokratët.

Pasditen e së enjtes PD zbuloi draftin e saj propozohet një ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone.

Për selinë blu shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit, kështu propozon që të shtohen 39 njësi vendore të reja sidomos në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.

Shtimin më të madh të numrit të bashkive PD e propozon në qarkun e Fierit me 6 të tilla, si Fiershegan, Dushk, Ardenicë apo Cakran etj. Kështu Fieri bëhet qarku me numrin më të madh të bashkive në vend me 12 të tilla.

Në vend të dytë vjen qarku i Vlorës, që sipas PD duhet të ketë 11 bashki në territor, dhe propozon të shtohen Orikumi, Amantia, Ksamili dhe Novoselë.

Të tretët janë qarku i Tiranës dhe i Korçës, dhe nga 10 bashki secila. Konkretisht demokratët propozojnë 5 bashki të reja për Tiranën (Dajti, Petrela, Kashari, Ndroqi e Arbana) dhe 4 të tjera për Korçën (Leskovik, Voskopojë, Mokër e Pojan).

Në hartën e selisë blu propozohen 3 bashki të reja në qarkun Shkodër (Velipojë, Deivast, Koplik), 5 në qarkun Lezhë (Bregu i Matës, Orosh, Zadrimë, Mamurras e Rubik), në Dibër shtohen 4 bashki (Maqellarë, Lurë, Shupenzë e Kastriot).

Kurse qarqeve Kukës, Durrës, Elbasan dhe Berat sipas PD duhet t’u shtohen secilës nga dy bashki. Të vetmin qark që nuk prek reforma e propozuar nga demokratët është Gjirokastra të cilën e lë me 7 bashki, aq sa ka aktualisht.

PD ndryshe nga PS nuk e shoqëron me sqarime këtë ndarje territoriale që propozon, por në mesazhin që Luçiano Boçi iu ka dërguar demokratëve thuhet vetëm: “Të nderuar deputetë me miratim të Kryetarit të PD dhe të Kryetarit të grupit ju përcjell listën e bashkive të paraqitur në raport nga ekspertët tanë”.

Më herët gjatë së enjtes, pasi PS publikoi hartën e saj me 46 bashki, Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, e kundërshtoi atë duke e cilësuar ‘një projekt politik që synon centralizimin e pushtetit vendor’.

Sipas tij, “nuk ka asnjë provë që bashkitë më të mëdha japin shërbime më të mira”, teksa shton se me këtë reformë të re rrezikohet të thellohet edhe më shumë shpopullimi që prodhoi reforma e 2014-ës.

Më tej Boçi e cilësonte draftin si “një thikë pas shpine për qytetarët” dhe bënte thirrje për protesta kundër reformës së propozuar.

Dokumenti i plotë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *