Këngëtari dhe kantautori shqiptar Ermal Meta është rikthyer në skenën e Festivalit të Sanremos 2026 me këngën Stella Stellina, një baladë e fuqishme me mesazh human dhe politik që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës.
Kënga, e frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, i kushtohet një fëmije nga Gaza dhe trajton tragjedinë e viktimave të pafajshme të luftës. Meta e ka përshkruar si “një këngë rezistence dhe shprese, pavarësisht gjithçkaje”. Çdo mbrëmje në skenë ai mban të qëndisur në jakë emrin e një vajze simbol i “bijave të të gjithëve” dhe “bijave të askujt” që lufta u ka marrë jetën.
Produksioni muzikor është realizuar në bashkëpunim me producentin dhe kompozitorin Dardust, i cili ka sjellë edhe elemente të muzikës së Lindjes së Mesme, përfshirë përdorimin e instrumenteve si oud, duke e bërë atmosferën e këngës edhe më emocionale.
Kritiku i muzikës Fabrizio Basso e ka cilësuar këngën si “një lutje laike nga breviar i njerëzimit”, duke i dhënë një vlerësim mes 8 dhe 9 pikësh.
Edhe pse jo menjëherë e kapshme si disa këngë të tjera në garë, “Stella Stellina” konsiderohet një nga propozimet më të forta artistikisht të këtij edicioni.
Më 27 shkurt, Meta do të publikojë albumin e ri Funziona Vitali, për të cilin thotë se është projekti që i ka dhënë më shumë, por edhe i ka marrë shumë emocionalisht.
Në mbrëmjen e cover-eve, ai do të performojë bashkë me Dardust këngën Golden Hour.Kjo është pjesëmarrja e gjashtë e Ermal Metës në festival.
Ai ka konkurruar më parë me këngë si “Vietato morire”, “Un milione di cose da dirti” dhe fituesen e vitit 2018 “Non mi avete fatto niente”, në duet me Fabrizio Moro. Pas asaj fitoreje, dyshja përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest, ku u rendit në vendin e pestë.
Meta ka theksuar se vendosi ta sillte këtë këngë në festival sepse “është koha të flasim edhe për fëmijët e të tjerëve”, duke shtuar se historia nuk i përket vetëm popullit palestinez, por mund të pasqyrojë tragjedi të shumta në mbarë botën.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, nëse do të fitojë dhe do të shkojë në Eurovision, nuk do të ndryshojë tekstin: “Kjo është një këngë njerëzore jo politike, por për brutalitetin e qenies njerëzore.”
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje nga Spitali Rajonal Memorial i Fierit, duke bërë të ditur se që nga janari i vitit 2026 në këtë institucion janë kryer mbi 300 ndërhyrje kirurgjikale.
Në postimin e tij, kreu i qeverisë vlerëson punën e stafit mjekësor dhe standardet e shërbimit të ofruar në këtë spital.
“MIRËMËNGJES dhe nga Spitali Rajonal Memorial Fier, ku mbi 300 ndërhyrje kirurgjikale vetëm në fillim të vitit 2026 flasin për përkushtimin dhe profesionalizmin e ekipit mjekësor, me standarde të larta dhe teknologji moderne në shërbim të qytetarëve çdo ditë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor, duke ofruar shërbime të specializuara për qytetarët e qarkut dhe zonave përreth.
LAJM I FUNDIT/ Lëkundje të forta tërmeti në Elbasan, ndihen edhe në Fier, Tiranë etj.
Epiqendra e tërmetit ishte 31 km në juperëndim të Elbasanit dhe 7 km në verilindje të Lushnjës, ndërsa magnituda e tërmetit ishte 4.3 e shkallës Rihter.
Ne nje prej komunikatave te shtypit te dites se sotme, Drejtoria e Policise se Fierit ka njoftuar se ka proceduar Shtetasin A.P dhe ka shpallur ne kerkim shtetasin E.S, per shkak se kane vjedhur nje portofol ne lagjen Apollonia, Fier. Komunikata e shtypit:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 59 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasin E. S., 45 vjeç, të dy banues në Fier, pasi dyshohet se më datë 17.02.2026, kanë vjedhur një portofol me një shumë parash në një dyqan në lagjen “Apollonia”. Punohet për kapjen e 45-vjeçarit.
Një aktivitet që nxori në pah kreativitetin, njohuritë dhe aftësitë kërkimore të nxënësve tanë.
Në prani të komisionit vlerësues, përfaqësuesve nga ZVAP Fier dhe mësues të shkollës, nxënësit prezantuan projektet e tyre inovative dhe temat me rëndësi për zhvillimin teknologjik dhe ndërgjegjësimin shoqëror.
Temat e prezantuara ishin:
🪞Smart Mirror – pasqyrë inteligjente me funksione informuese;
🩺Monitorimi i pulsit me alarm – një sistem për kontrollin e ritmit të zemrës dhe sinjalizimin në rast rreziku;
❤️Rëndësia e dhurimit të gjakut – një projekt sensibilizues për shpëtimin e jetëve;
🛤️Burimet e rinovueshme të energjisë – zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit.
👨🏻🎓👩🎓Nxënësit u dalluan për përgatitjen serioze, prezantimet cilësore dhe shpirtin inovativ, duke dëshmuar se shkenca është një rrugë drejt së ardhmes.
👏Falënderojmë komisionin, përfaqësuesit e institucioneve dhe mësuesit për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm të talenteve të reja.
𝑵𝒋ë 𝒔𝒉𝒌𝒓𝒊𝒎 𝒏𝒈𝒂 Prof. Dr. 𝑽𝒊𝒍𝒔𝒐𝒏 𝑺𝑰𝑳𝑶 (𝒏𝒊𝒑𝒊 𝒊 𝒔𝒂𝒋).
Lefteri Silo lindi në fshatin Pojan Fier, në 22.01.1937.
Në vitet 1945 – 1952 mbaroi shkollën elementare në fshatin e lindjes dhe në vitet 1952-1955 mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Beratit dhe fillon punë mësuese në fshatin Qarr të rrethit Fier deri në vitin 1957.
Dy vjet punë në fushën e mësuesisë qenë të mjaftueshme për t’u afirmuar e për t’u përzgjedhur nga institucionet skenike të rrethit si këngëtare e talentuar e këngës popullore qytetare myzeqare. ..
Që nga 𝐯𝐢𝐭𝐢 𝟏𝟗𝟓𝟕 – 𝟏𝟗𝟗𝟒 punoi këngëtare dhe aktore në Estradën e qyteti të Fierit. Në muajin maj të vitit 1957, kur Estrada Profesioniste nisi veprimtarinë e saj si një institucion skenik, për mësuesen e fshatit Qarr nisi karriera, sa e bukur dhe aq e vështirë e artit skenik, të cilit për 37 vjet nuk do t’i ndahej. Kur Lefteria hodhi hapin e parë e u ngjit në skenë, ajo kishte bërë një hap të madh drejt emancipimit, drejt çlirimit nga kthetrat e patriarkalizmit, të cilat e kishin ndrydhur gruan myzeqare dhe e kishin bërë skllave të mureve të shtëpisë. Nga lartësitë e skenës ajo shihte horizonte të reja, kishte tashmë tjetër vizion për jetën e shoqërinë dhe të tjera pika referimi. Ajo ishte thirrurr në skenë për këngën myzeqare dhe për gati katër dekada e ngriti atë në nivele më të larta, më korrekte, më shprehëse e më emocionuese. Kjo artiste gjeti tek kënga e popullit gurrën e freskët, flladitjen.
Sa shumë emocione, sa shumë kënaqësi e gëzime u dhuroi ajo adhuruesve të këngës popullore qytetare myzeqare, të cilët i dhuruan duartrokitje të stuhishme e çaste lumturie. Jeta dhe veprimtaria artistike e kësaj artisteje ka qënë lidhur ngushtë me ansamblin artistik “Myzeqeja” dhe Estradën Profesioniste të qytetit të Fierit. Nuk ka veprimtari brenda dhe jashtë vendit pa praninë e kësaj këngëtareje, pa zërin e saj. Aktiviteti artistik pasqyrohet në këngët e bukura myzeqare, duke u bërë një nga simbolet e saja. Me dimensionin e personalitetit të saj shpjegohet suksesi edhe në interpretimin e këngës popullore të krahinave të tjera, të muzikës së lehtë, e madje, loja me karakter individual si aktore në shumë skeçe si p.sh.: mamaja te skeçi parodik “Emision i jashtëzakonshëm”, gruaja e Banushit te skeçi “Këtu paska konita” e shumë e shumë të tjera.
Por sidoqoftë, persosmëria e artit të saj mbeti në intonacionet e bukura e me aq mjeshtëri te kënga popullore qytetare myzeqare. Edhe ajo vetë e ndiente Myzeqenë në rrafshin me të përshtatshëm të këngës së saj të pashtershme. Shfaqjet në fshat shpesh herë ktheheshin në festë popullore. Në njërën prej këtyre festave zëri i saj intonohej aq bukur saqë xha Metja nga Cakrani i Fierit, nga kënaqësia, e thirri në mes të shfaqjes me fjalën e ëmbël: “Hajde, bilbil i Myzeqesë – merrja edhe njëherë asaj kënge “Penxherenë e zotërisë sate ç’ta ka zënë pema jeshile”.
Edhe vajza myzeqare, me zërin e saj të bukur e melodioz, ligjëroi në të gjitha krahinat e vëndit si në shtëpinë e saj.
Lefteria ka dhënë ndihmesë të madhe në konsolidimin e ansamblit artistik “Myzeqeja” në të cilin debutoi me sukses edhe në mjaft skena ndërkombëtare, ku është duartrokitur nxehtësisht. Nuk kishte shfaqje të ansamblit artistik “Myzeqeja” apo të Estradës profesioniste të Fierit pa u dëgjuar zëri i bukur i Lefterisë. Ajo kishte jo vetëm kërkesa artistike ndaj vehtes, por edhe kërkesa në marëdhenie sa më të mira me kolegët e saj që i donte aq shumë. Zëri i saj i bukur e melodioz do të dëgjohej jo vetëm në çdo vatër myzeqare, por në mbarë vendin nëpërmjet këngëve perla të Myzeqesë si: “Ç’u ngrita e vajta për ujë”, “Ma kishe dhe moj shtëpinë”, “Çobani dhe çobanka”, “Myzeqarka e vogël” e shumë e shumë të tjera.
Brezat e rinj të këngëtarëve dhe artistëve në Fier kanë mësuar shumë nga mjeshtëria e kësaj këngëtareje, e cila ka lënë pas një vepër të bukur, një buqetë këngësh, të cilat, sa herë do të këndohen e dëgjohen, do të ngjallin respekt dhe dashuri për këtë artiste. Këngëtarja Lefteri Silo u rrit dhe jetoi me këngët, prandaj edhe jeta e saj është një këngë që do të jetoj në vite.
𝐕𝐥𝐞𝐫ë𝐬𝐢𝐦𝐞𝐭
Pikërisht për këtë veprimtari intensive, për këtë përkushtim të plotë dhe këtë pasion të jashtëzakonshëm për artin skenik, këngëtarja e talentuar është nderuar me:
🏅Urdhri “Naim Frashëri”, klasi i tretë,
🏅Medalje “Naim Frashëri”
🏅”Qytetar Nderi” i Bashkisë Fier
📋Certifikatë “Sulmues i 35 – vjetorit të Çlirimit të Atdheut”..
Këshilli i Bashkisë Fier me vendimin nr. 87 datë 04.12.2002 i jep artistes Lefteri Kozma Silo (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” dhe një rruge në qytetin e Fierit i vihet emri i saj, rruga “Lefteri Silo” me motivacionin:“Për kontributin e saj të shquar në interpretimin virtuoz të këngës popullore myzeqare. Me talentin e saj interpretues ajo u bë simbol i këngës së trevës ku u lind dhe u rrit dhe që i kushtoi tërë jetën e saj. Këngët e saja janë pjesë e trashëgimisë së thesarit të kulturës sonë kombëtare dhe do të këndohen përherë me dashuri nga brezat e ardhshëm, duke kujtuar me respekt bilbilin e këtyre këngëve.”
✨️Por dekoratën me të lartë kjo artiste e ka marrë nga populli, nga artdashësit dhe adhuruesit e këngës popullore myzeqare. Ajo është fiksuar në kujtesën dhe në përfytyrimet e tyre si artistja virtuoze dhe interpretuese e talentuar i këngës magjepëse popullore të trevës së Myzeqesë.
Dhe jeta paska fund. Ajo u nda njëherë e përgjithmonë nga skena, të cilën e deshi aq shumë, nga Sofika Hodo, Fuat Boçi, Leonidha Prifti, Isuf Maloku, Timo Lule, Agim Dollani, Nikollaq Bulo dhe nga gjithë kolektivi i Estradës Profesioniste dhe Teatrit të qytetit të Fierit.
Më 22 korrik 1994, pas një sëmundje të rëndë, ajo u nda nga jeta. Kënga myzeqare humbi interpretuesen e talentuar, admiruesit këngëtaren e mirënjohur, kolegët partneren e denjë.
Por artistja nuk vdes. Ajo rron, se rron kënga në popullin artdashës të Myzeqesë.
Shirat e fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në Lagunën e Karavastasë, duke përmbytur ishullin e riprodhimit të pelikanit kaçurrel, i cili është i vetmi vend folezimi i kësaj specie në vendin tonë.
Kjo zonë përfaqëson një nga habitatet më të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri dhe ka një rol kyç në mbrojtjen e specieve të rrezikuara.
Falë masave të marra në kohë nga stafi i Parkut, në bashkëpunim me OJF-të partnere dhe në kuadër të projektit #RESCOM, gjatë muajit janar u realizua ngritja e shtretërve të riprodhimit.
Si rezultat, procesi i folezimit të pelikanit kaçurrel po vijon i qetë dhe pa probleme, pavarësisht nivelit të lartë të ujit.
Ky reagim i shpejtë dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe për menaxhimin e qëndrueshëm të ekosistemeve ligatinore.
Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Fier- Libofshë në vendin e quajtur Rreth Libofshë.
Një automjet tip “Seat” ka dalë nga rruga duke përfunduar i përmbysur, ndërsa ka lënë te plagosur drejtuesen, shtetasen me iniciale A. P, e cila është transportuar menjëherë me ambulance drejt spitalit Rajonal Fier.
E dëmtuara ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje, po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Në bashkëpunim me nënkryetaren e bashkisë së Fierit, Mirela Pitushi dhe Doktor Ismail Halili me klinikën e tij Retina Institute vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin ndaj shëndetit të komunitetit përmes nismave konkrete. Së fundmi, u realizuan depistime falas të shikimit për fëmijët e Kopshtit “Nr.6”, duke ofruar kontrolle parandaluese dhe këshilla të specializuara të përshtatura për vogëlushët me synim kujdesin për shëndetin e syve të tyre.
Angazhimi në institucione arsimore dhe bashkëpunimi me komunitetin është pjesë e misionit për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ofruar zgjidhje cilësore për të gjithë. Kjo nismë është një shembull i qartë se si bashkëpunimi mes profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve edukative mund të krijojë ndikim real në mirëqenien e fëmijëve tanë.
Pse është kaq i rëndësishëm ky depistimi i hershëm?
Problemet me shikimin në moshë të hershme shpesh kalojnë pa u vënë re, pasi fëmijët nuk arrijnë gjithmonë t’i shprehin vështirësitë që përjetojnë.
Kontrollet e rregullta ndihmojnë në:
Zbulimin në kohë të çrregullimeve të refraksionit Parandalimin e komplikimeve afatgjata Përmirësimin e përqendrimit dhe performancës në mësim Garantimin e një zhvillimi të shëndetshëm dhe të sigurt
Nesër, më 19 Shkurt, besimtarët myslimanë nisin muajin e shenjtë të Ramazanit – muajin e sakrificës, përkushtimit dhe reflektimit shpirtëror. 🌙✨
Ramazani është një periudhë e veçantë adhurimi, agjërimi dhe solidariteti, ku për 30 ditë me radhë, nga agimi deri në perëndim të diellit, besimtarët përmbahen nga ushqimi dhe pija, duke forcuar lidhjen me Zotin dhe me njëri-tjetrin.
Më poshtë gjeni oraret e syfyrit dhe iftarit për qytetin e Fierit, për t’ju ardhur në ndihmë gjatë këtij muaji të bekuar.