Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për Fredi Belerin
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Fredi Beleri. Ky i fundit do të vuajë 2 vite heqje lirie për “korrupsion në zgjedhje”, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi është marrë vendimi i 3 vite shërbim prove, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Vendimi i sotëm është marrë nga treshja e gjyqtarëve Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara dhe Iliriana Olldashi.
Kujtojmë se Beleri u vu në pranga më 12 Maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale në vend. Sipas SPAK, arrestimi i tij erdhi pas një denoncimi në Prokurori ku pretendohej se Beleri ofronte 40 mijë Lekë për të blerë 8 vota.
Edhe pse arriti të sigurojë votat për t’u zgjedhur në krye të bashkisë së Himarës, ai nuk bëri dot betimin si i tillë. Megjithatë vlen për t’u theksuar se në fillim të këtij muaji Beleri u zgjodh si përfaqësues i Greqisë në Parlamentin Europian për partinë qeverisëse “Demokracia e Re”.
Ambasadorja greke në vendin tonë deklaroi para SPAK se “për fat të keq ngrihen pikëpyetje për paraburgimin e zgjatur të zotit Beleri”./tvklan.al