Sport

Ka spikatur në Fier, mesfushori i Apolonisë përfundon në “radarin” e Partizanit

Nga Hilmi Saliu/ Apolonia u paraqit në një nivel mesatar sezonin e fundit, duke mos arritur objektivin madhor, ngjitje në Superiore. Gjithsesi, disa prej titullarëve ranë në sy me paraqitjen e tyre, mes të cilëve është edhe mesfushori Mateo Shanaj.

Ai ka luajtur si titullar në 35 ndeshjet e kampionatit, me 3135 minuta në fushë, duke qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Apolonisë. Në sezonin e katërt me fanellën e Apolonisë, 22-vjeçari ka përfunduar në vitrinën e merkatos dhe që pas mbylljes së sezonit për të interesohen disa skuadra të Superiores. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë lojtarit dhe klubit fierak se Shanaj pëlqehet shumë nga Partizani. Mësohet se të kuqtë nuk janë të vetmit që kërkojnë shërbimet e tij, por nënkampionët kanë pasur interesim të vazhdueshëm dhe kontakte të vazhdueshme, veçanërisht gjatë muajve të fundit.

Cest la vie

“Demat e kuq” janë vënë në kërkim të mesfushorëve të rinj që pas mbylljes së sezonit të fundit dhe në fokusin e tyre është edhe Shanaj, i cili mund të plotësojë boshllëkun që mund të krijohet në qendër të mesfushës nga shitja e mundshme e lojtarëve që luajnë në këtë rol. Tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë konkretisht. Por për mesfushorin Shanaj, duket se ka edhe një pistë jashtë Shqipërisë për të ardhmen. “Panorama Sport” mëson se për këtë lojtar ka një ofertë nga një klub europian, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në fakt, situata e tij nuk është e lehtë për t’u zgjidhur, të paktën për momentin.

Lojtari është nën kontratë me Apoloninë, ndonëse synimi i tij mund të jetë që të hedhë një hap të ri dhe më të madh në futbollin shqiptar për të luajtur në Superiore, por pse jo edhe në Europë. Konkretisht Partizani, por edhe ekipe të tjera të Superiores e kërkojnë dhe mbetet për t’u parë, nëse do të ketë ndonjë akord për të ardhmen e 22-vjeçarit. Apolonia, nëse do të vendosë ta lejojë të largohet mesfushori, me siguri do të shohë ofertën më të mirë nga ana financiare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button