Uncategorized

Manastirliu: Kredi me interes zero për blerje banese për mësuesit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim me mësues të rinj për të prezantuar programin e kredive me interes zero, i cili për herë të parë këtë vit përfshin edhe sektorin e arsimit.

Ky program është një hap i rëndësishëm në mbështetje të profesionistëve të sektorit arsimor dhe synon të përmirësojë kushtet e jetesës për mësuesit.

Cest la vie

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e zgjerimit të programit të kredive me interes zero, duke përfshirë mësuesit, si një hap të natyrshëm pas mbështetjes së filluar vitin e kaluar për kategori të tjera profesionistësh.

“Një prej programeve të rëndësishëm që ne konsiderojmë në mbështetje të profesionistëve të shumë sektorëve është zgjerimi i programit të kredive me interes zero, apo mbështetja për një banesë të re për kategorinë e mësuesve. Janë hapur aplikimet online në e-Albania dhe ato përfundojnë më 14 gusht. Më pas, një komision do të vlerësojë dokumentacionin sipas një pikëzimi, duke vlerësuar mësuesit që punojnë në një largësi të konsiderueshme nga vendbanimi i tyre, apo mësuesit ku të dy bashkëshortët janë në profesionin e mësuesit”, tha Manastirliu.

Ministrja tha se një prej kërkesave të bëra nga vetë mësuesit në takimet e zhvilluara ka qenë përfshirja në programin e blerjes së banesës me kredi me interes zero.

Duke folur për përmirësimet në kushtet e punës dhe rritjen e pagave për mësuesit, Manastirliu vuri në dukje se nga data 1 korrik, pagat e mësuesve janë rritur mesatarisht me 180 euro në muaj, duke arritur në 950 euro në muaj.

“Kjo është pjesë e mbështetjes për mësuesit, përpos kushteve të mira të punës që po krijohen ditë pas dite me shkolla të reja, me infrastrukturën arsimore të përmirësuar dhe me rritjen e pagave, e cila tashmë ka nisur prej datës 1 korrik”, u shpreh Manastirliu.

Ajo shtoi se ky program është një motivim edhe më i madh për të rinjtë që të zgjedhin mësuesinë, e cila tashmë është një profesion me një pagë dinjitoze dhe me mundësi përfitimi nga programe të tjera mbështetëse.

“Jam e bindur se është edhe një motivim më shumë për të rinjtë për të zgjedhur mësuesinë, jo vetëm për faktin se tashmë mësuesi ka një pagë dinjitoze, por edhe mundësi të përfitojë nga programe të tjera që e bëjnë punën e tyre edhe më motivuese dhe inspiruese. Nëpërmjet këtij investimi, ne duam që në sektorin arsimor të afrojmë në universitete nxënësit apo maturantët më të mirë, me rezultate sa më të larta”, tha Manastirliu.

/k.s/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button