Dosier

14 shtator 1943, një ngjarje e pazakontë në historinë e LANÇ – Nga Ilirjan Gjika

“Gjashtëdhjetë e tetë vajza nga qyteti i Fierit, më 14 shtator 1943 u hodhën në ilegalitet dhe dolën partizane. Kjo çetë luftëtaresh të reja dilte nga një qytet i vogël, që atëherë nuk i kalonte 5-6 mijë banorë. Një rast ky unikal në Shqipëri dhe pse jo edhe përtej saj, në Europën e pushtuar nga nazifashistët”, shkruan për këtë ngjarje një nga bashkëkohësit, shkrimtari Nasho Jorgaqi

Nga Ilirjan Gjika

Cest la vie

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Fieri, përjetoi pushtimin e dy fuqive ushtarake të Bllokut Fashist, ai atë italian dhe gjerman (7 prill 1939-15 tetor 1944). Gjatë kësaj periudhë kohore që zgjati 5 vjet e 6 muaj, qyteti dhe rrethinat përjetuan zhvillime dhe ngjarje me të gjitha tiparet e e luftës shkatërrimtare. Ndërkohë që populli i Fierit e mbështeti pa rezerva Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai dha një kontribut me vlera në rezistencën antifashiste duke i dhënë formacioneve të UNÇSH rreth 1900 partizanë, 447 prej të cilëve ranë dëshmorë të atdheut. Në këto vite ku vlerat patriotike dhe liridashëse u shprehën fuqishëm, një meritë të veçantë për çlirimin e vendit patën edhe gratë dhe vajzat. Shembulli i 14 shtatorit të vitit 1943 është unik jo vetëm për Shqipërinë, por ndoshta edhe për rajonin e Ballkanit dhe Europën më gjerë.

“Gjashtëdhjetë e tetë vajza nga qyteti i Fierit, më 14 shtator 1943 u hodhën në ilegalitet dhe dolën partizane. Kjo çetë luftëtaresh të reja dilte nga një qytet i vogël, që atëherë nuk i kalonte 5-6 mijë banorë. Një rast ky unikal në Shqipëri dhe pse jo edhe përtej saj, në Europën e pushtuar nga nazifashistët”, shkruan për këtë ngjarje një nga bashkëkohësit, shkrimtari Nasho Jorgaqi.

“Krijimi i njësive partizane, kalimi në kryengritjen e përgjithshme të armatosur diktoi nevojën e shtimit të radhëve partiazne me element të rinj. Për këtë organizata e gruas zhvilloi një aktivitet të gjerë për hedhjen e grave e të rejave në rreshtat partizane”, thekson për vigjiljen e kësaj ngjarjeje, historiani dhe studiuesi Simir Rustemi.

“Në fakt largimi ynë definitiv u bë i domosdoshëm, sepse edhe shtëpitë tona ishin bërë baza të ekspozuara dhe si rrjedhim qëndrimi ynë aty rrezikonte gjithë familjet’’, shkruan në kujtimet e saj një nga protagonistet e kësaj ngjarjeje, Shanisha Memisha (Demi).

Pikërisht në mesditēn e datës 14 shtator 1943, në Fierin e pushtuar nga gjermanët dhe në gjendje shtetrrethimi, këto gra dhe vajza u mblodhën fillimisht në shtëpitë e veprimtarëve të LANÇ Niqi Kallamata dhe Sokrat Bufi. Më pas në grupe më të mëdha ato kaluan drejt shtëpive të patriotëve Xhemil Muço dhe Zoi Deçolli. Prej aty në mënyrë të fshehtë dhe sipas një plani të organizuar mirë, atë pasdite grupi i grave dhe vajzave kaloi lumin Gjanica duke dalë në lindje të qytetit, ku vijoi rrugën. Përmes kënetës së Sheqit dhe lumit Seman u morën drejtimin e fshatit Kallm, ku qëndruan një natë në disa prej familjeve të tij.

“Gjermanët ndodheshin te ura e Sheqit, vetëm 10 minuta larg nga baza ilegale nga e cila u nisëm. Kaluam lumin Gjanica dhe u futëm në kënetë e cila qe e mbuluar me një bimësi të dendur. Gjatë kohës që po kalonim në kënetë u duk një aeroplan gjerman. Që në hapat e parë të jetës partizane hasëm në vështirësi, ndërsa kallamat shërbyen për të na mbrojtur nga mitralimi. Pasi kaluam kënetën fshatarët e zonës na ndihmuan të kalonim lumin Seman me lundër”, kujton Nepi Sota një nga pjesëmarrëset e këtij grupi.

Ndërkohë të nesërmen rruga vijoi drejt Ngurrzës për të mbërritur në Anxhaleas të Dumresë. Këtu, grupi qëndroi për një javë dhe andej vijoi udhëtimin drejt Kuçovës për të mbërritur së fundmi në Berat. Pikërisht këtu u bë ndarja në disa grupe, ku ai që u vendos në Roshnik u specializua për rrobaqepësi, duke shkuar më pas në Skrapar ku kreu detyra të ndryshme në terren dhe në disa brigada partizane. Grupi tjetër, ai Dobrushës, u përgatit për infermjeri dhe ju bashkua më pas Grupit III të Zonës së Parë Operative që vepronte në krahinën e Mallakastrës. Ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre do të kryenin detyra dhe funksione nga më të ndryshmet në disa prej brigadave partizane të UNÇSH, si: VI, VII, XI, XI dhe XII sulmuese. Të tilla ishin partizanet Shpresa Hoxha (Fuga), Manushaqe Qadhimi, Izmini Kokobobo, Kristina Bakalli, Nepi Sota, Lefteri Muço, Jorgjie Dëma, Lenga Bakalli, Shanisha Memisha (Demi), Hatëme Memisha (Katro), Qeriba Koka, etj.

Në librin “Me ëndrrën e lirisë”, shkrimtari dhe gazetari Tashko Lako ka botuar të plota kujtimet e një sërë pjesëmarrëseve dhe protagonisteve të kësaj ngjarje. Diku në faqen 43 të tij ai shkruan se, një pjesë e këtij grupi u shpërnda në batalionet partizane ‘’Margarita Tutulani’’, ‘’Semani’’, “Ismail Qemali’’ dhe “Petro Sota”, ndërsa pjesa tjetër u caktua të punonte në terren. Po kështu, midis të tjerave, Lako thekson se, midis pjesëmarrësve do të spikasnin edhe emrat e Liri Geros dhe Pinellopi Piro, dëshmore të atdheut.

Kjo ishte shkurtimisht kjo ngjarje e pazakontë në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e cila për kohën kur u zhvillua u mbajt në ilegalitet të plotë. Për të nuk u shkruajt asnjë rresht në traktet, komunikatat dhe gazetat që nxirte Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH dhe formacionet e ndryshme partizane. Arsyeja ishte e thjeshtë dhe e qartë. Në atë kohë vepronin ligjësitë e luftës dhe asgjë nuk mund të bëhej e njohur dhe për më tepër publike. Këtë e dëshmon edhe fryma që ndeshim në shkrimet e botuara gjatë atyre viteve nga organet e shtypit antifashist, si ‘’Zëri i Popullit’’, ‘’Buletini i Luftës’’, ‘’Gruaja Shqiptare’’, ‘’Kushtrimi i Lirisë’’, etj, ku artikujt shkuheshin me pseudonime, pa përmendur emra, zhvillime e hollësi. Ndërkohë që edhe pas Çlirimit kur historia e luftës u shkruajt me hollësi çuditërisht për këtë ngjarje nuk u tregua vëmëndja e duhur. Vetëm në fillim të viteve 1980, Muzeu Historik Fier, në bashkëpunim me Komitetin e Veteranëve të LANÇ, nisi punën për vlerësimin e kësaj ngjarjeje me mbledhjen e kujtimeve nga protagonistet dhe pjesëmarrëset. Historiku i plotë i saj u kompletua në vitet e mëvonshme me një sërë një sërë artikujsh dhe botimesh. Ndërsa në vitin 2003, me rastin e 60 vjetorit të kësaj ngjarjeje, në një nga sheshet e qytetit të Fierit u përurua memoriali që simbolizon këtë akt, vepër e ‘’Skulptorit të Popullit’’ Muntaz Dhrami. Gjithashtu, Këshilli i Qarkut Fier, i nderoi 68 vajzat partizane për aktin e lartë patriotik me titullin ‘’Nderi i Qarkut’’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button