Fier/ Nxënësi plagos me biçak shokun brenda në oborrin e gjimnazit të Cakrani! Shkak një postim në Snapchat
Konflikti mes dy adoleshentëve i nisur mbrëmë në Snapchat u zhvendos në oborrin e gjimnazit të Cakranit në Fier, ku një 17 vjeçar ka plagosur me biçak shokun e tij të shkollës.
Ngjarja ndodh një muaj pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani nga shoku i tij i shkollës.
Policia shoqëroi autorin, ndërsa ka marrë dëshminë e 2 mësuesve që kanë parë të gjithë sherrin.
Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se sherri i nisur mbrëmjen e djeshme (12 dhjetor) në rrjetin social Snapchat degradoi mëngjesin e sotëm në oborrin e shkollës ky dy 17 vjeçarët janë konfliktuar fillimisht verbalisht.
Më pas 17 vjeçari B.D, ka goditur me thikë biçak në krah bashkëmoshatarin e tij Y.Xh. Ky i fundit u transportua në spitalin rajonal të Fierit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti është parë nga dy mësuese të cilat kanë qenë dëshmitare,ndërkohë që 17 vjeçari është shoqëruar në qendrën shëndetësore të Cakranit disa metra larg.17 vjeçari ka marrë 4 plagë në trup.
Ndërkohë B.D., është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, teksai i është sekuestruar thika me të cilën goditi adoleshentin tjetër.
‘Rreth orës 08:30, në fshatin Cakran, Fier, në ambjentet e shkollës së mesme Cakran, gjatë një konflikti të çastit mes dy nxënësve, njëri prej tyre shtetasi, B. D.,17 vjeç, ka goditur me mjet prerës në krah bashkëmoshatarin shtetasin Y. Xh, të (dy nxënës të kësaj shkolle). Shtetasi Y. Xh., u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.’, njofton policia.
Në shkollën ku ndodhi ngjarja sapo kanë mbërritur edhe përfaqësues të Prokurorisë Fier.