Krijuesja e “Albanës” dhe “Albanit”: Në muajin e parë shita 800 kukulla shqiptare
Shqipe Ulaj nga Mali i Zi e cila jeton në SHBA, është krijuesja e parë e dy kukullave shqiptare, “Albanës” dhe “Albanit”. Me rastin e festave të Nëntorit ajo dha një intervistë nga SHBA për Flori Gjinin në emisionin “People” në Eurones Albania.
Shqipja tregoi se krijimi i këtyre dy kukullave erdhi në vitin 2020 në kohën e pandemisë kur u mbyllën në shtëpi dhe ajo mendoi të krijonte diçka të vetën për fëmijet shqiptarë, dhe megjithëse nuk kishte eksperiencë me kukullat ia doli.
“Të parën herë kur i krijova “Albanën” dhe “Albanin” të gjithë kukullat u shitën menjëherë brenda një muaji, dhe ishin rreth 800 kukulla. Isha shumë e lumtur pasi ishte numër shumë i madh duke qenë se isha e vetme në këtë sipërmarrje” thotë Shqipja.
Shqipja tha se “Albana” dhe “Albani” kushtojnë 20 dollarë ndërsa tregoi se gjuhën shqipe e mësoi në shtëpi nga familjarët e saj dhe u shpreh se në New York ka një komunitet shumë të madh shqiptarësh.
Shqipja tha se kishte dy vajza, njëra me emrin Stela dhe tjetra me emrin Zana të cilës ia vuri këtë emër për të qenë sa më afër emrave shqiptarë.