“Sistemi i gjendrave dhe Ushtrime të gjendrave”/ Një libër i veçantë prezantohet në Bibliotekën e Fierit

Në Bibliotekën Fier u prezantua një libër i veçantë rreth shëndetit, me titull “Sistemi i gjendrave dhe Ushtrime të gjendrave – Rëndësia e tyre për trupin tonë”, i shkruar nga Dr. O.Z.Hanish. Libri sjell një qasje unike në trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve nëpërmjet mjekësisë alternative dhe Metodës Aviva.

Përkthyer në shqip nga Aleksandër Janollari dhe Zsuzsanna Sulejmani, ky botim ofron një përmbledhje të rëndësishme të ndikimit të sistemit të gjendrave në shëndetin e përgjithshëm të trupit.

Në këtë event, Dr. Aleks Sulejmani, mjek gastrohepatolog, foli për efikasitetin e mjekësisë alternative, duke prezantuar raste dhe studime konkrete.
Fjalimi i tij u fokusua te përfitimet e Metodës Aviva dhe rëndësia e parandalimit të sëmundjeve përmes qasjeve natyrale.

Redaktorja gjuhësore e librit, znj. Naunka Lëngu, ndau sfidat dhe suksesin në përpunimin e këtij libri, duke theksuar kompleksitetin e terminologjisë mjekësore të përfshirë.


Të njëjtën përshtypje dhe kënaqësi për këtë punë të realizuar me sukses sollën dhe përkthyesit e librit, Aleksandri përfaqësuar nga nëna e tij, mësuesja me përvojë e gjuhës shqipe Laureta Janollari dhe Zsuzsanna Sulejmani, njëherësh dhe përfaqësuese e Federatës Shqiptare të Grave për Paqe Botërore, në bashkëpunim me të cilën u mundësua ky takim i veçante.
Një përshëndetje e veçantë erdhi nga mësuesja e baletit znj. Marsela Karaj, e cila theksoi rëndësinë e jetës aktive dhe lëvizjeve për mirëqenien e përditshme.

Kjo ngjarje e organizuar në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Grave për Paqe Botërore përfaqëson një hap të rëndësishëm në promovimin e shëndetit dhe mjekësisë alternative.