Fermeri nga Roskoveci rrit prodhimin e domateve për eksport

Fermat e prodhimit të produkteve bujqësore, zarzavateve dhe frutave, pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës janë zgjeruar vitet e fundit edhe prej rritjes së investimeve në magazinat frigoriferike.
Njëkohësisht fluksi i lartë i turistëve vitet e fundit, por edhe kërkesa në tregjet ndërkombëtare për prodhimet shqiptare, ka bërë që fermerët të rrisin sipërfaqet e mbjella.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vizitoi sot në Roskovec serrën e fermerit Gentian Selamaj, i cili prej rreth 7 vitesh kultivon domate në 1 hektar serra.
Denaj informoi se prej vitit 2018, ai ka investuar me pasion në bujqësi dhe sot prodhimi i dalë nga duart e tij shkon për eksport, duke dëshmuar cilësinë dhe fuqinë e produkteve “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

“Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi prodhimin vendas, dhe të ardhurat e Gentianit nga bujqësia përmirësojnë ekonominë familjare, por edhe forcojnë ekonominë rurale, duke krijuar mundësi dhe zhvillim për komunitetin”, tha Denaj.
Eksportet e frutave dhe perimeve gjatë janarit 2025 shënuan një rritje prej 34% në vlerë dhe 14,5% në sasi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qeveria ka objektiv rritjen e qëndrueshme të sektorit, me qëllim eksportimin e 1 miliard dollarëve prodhime bujqësore brenda kësaj dekade.