Jam kryetari i bashkisë’ Dy persona mashtrojnë biznesmenin nga Lushnja, i marrin 6 mijë euro!

Një biznesmen nga Lushnja ra pre e mashtrimit nga personazhi i njohur i TikTok, Ervis Belollari, njohur si “Delux”. Duke iu prezantuar si kryetar bashkie por pa thënë emër konkret 26-vjeçari në pranga dhe i shoku në kërkim i zhvatën biznesmenit të bimëve medicinale 6 mijë euro për një problem shëndetësor.
TIRANE- Ervis Belollari, 26 vjeç, personazhi “Deluks” i njohur në TikTok, i cili bëri realitet ëndrrën për t’u bërë pjesë e kinematografisë turke me pjesëmarrjen në serialin e njohur historik “Osmani”, u arrestua sot (7 shkurt 2025) nga policia. I riu dyshohet se mashtroi një biznesmen të bimëve medicinale nga Lushnja, duke i marrë një shumë prej 6 mijë eurosh. Agjentët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë shpallën në kërkim bashkëpunëtorin e tij, Arsen Matollari, 32 vjeç.
Që plani të funksiononte, 2 miqtë u shtirën sikur janë zyrtarë vendor. Fillimisht biznesmenit lushnjar i kërkuan 6 mijë euro, sikur të ishin kryetar i një bashkie, pa përmendur emër, ose të një zyrtari bashkie. Momenti i dhënies së parave është filmuar nga një kamera sigurie në Tiranë, e cila shërbeu si provë për grupin hetimor për të identifikuar mashtruesit. Në denoncimin e tij në polici, pasi kuptoi se ishte mashtruar, biznesmeni u tha hetuesve se nuk e kishte kuptuar mirë se në çfarë cilësie i ishin prezantuar 2 të rinjtë.
Sipas tij, ata i thanë se kishin një problem shëndetësor në një prej spitaleve private në Tiranë dhe prandaj u duheshin lekët. Por mashtruesit nuk u mjaftuan me kaq, ata kërkuan edhe 7 mijë euro të tjera. Në këtë rast, biznesmeni nuhati se po mashtrohej dhe iu drejtua policisë, e cila nisi menjëherë hetimet.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e një rasti të përfitimit të një shume parash, me anë të mashtrimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Unknown”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi Ervis Belollari, 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Arsen Matollari, 32 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar 6000 euro nga një biznesmen, duke iu prezantuar atij si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor.Polcia po punon për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.