Home Lajme nga Fieri Fruthi prek 9 fëmijë në Fier – Mjekja apelon: Vaksinoni fëmijët sa...

Fruthi prek 9 fëmijë në Fier – Mjekja apelon: Vaksinoni fëmijët sa më parë!

9 fëmijë u preken nga fruthi në Fier gjatë muajit që lamë pas sepse ishin të pavaksinuar.

Na ndiqni në Instagram

Sipas mjekes epidemiologe pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Fier, Anila Moçi, rasti i parë i konfirmuar ka qenë i një fëmije i cili pas qëndrimit 2 javor në Itali është kthyer i infektuar, ndërsa prindërit e tij kishin refuzuar bërjen e vaksinës kundër fruthit.

Një tjetër vatër infeksioni shpërtheu më pas në një kopësht dhe pavarësisht se të gjithë fëmijët e prekur janë trajtuar në spital dhe aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore, mjekja Moçi paralajmëron rrezikun e përhapjes së fruthit në rast refuzimi të vaksinës.

Ajo apelon prindërit të mos bien preh e zërave se vaksina kundër fruthit shkakton autizëm, pasi ky debat është i tejkaluar dhe s’ka vend për spekulime.

‘Ka artikuj të tërë, OBSH, institutet e shëndetësisë në të gjithë botën e kanë vërtetuar që autizimi nuk shkaktohet nga vaksina e fruthit. Kemi një rritje të zërave antivaksinë dhe prej vitesh ka një rënie të mbulesës vaksinale në lidhje me vaksinën e fruthit. Dhe në Fier kemi një grup individësh që refuzojnë vaksinën e fruthit, jemi në kohë dhe për këtë do të bëjmë edhe një takim me të gjitha grupet e interesit’, tha ajo.

Një shpërthim i tillë i fruthit në Fier është regjistruar në vitin 2018 ku në Qarkun e Fierit u prekën 8 persona. Përballë kësaj situate mjekja Moçi u ka bërë apel të gjitha institucioneve arsimore parashkollore dhe shkollore të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit pasi bëhen shkak për përhapjen e fruthit edhe te fëmijët e tjerë.