Home Lajme nga Fieri Nga skena në det, Llazar Pove tregon ditën plot aventura: Përveç publikut,...

Nga skena në det, Llazar Pove tregon ditën plot aventura: Përveç publikut, kam peshqit spektatorë në Seman (Video)

Është një nga themeluesit e këngës qytetare fierake, një emër i njohur për Fierin, pjesë e gëzimeve familjare dhe festave në këtë qytet. Bëhet fjalë për Llazar Poven, i cili sot ka dalë në pension, por nuk ka lënë pas dore as skenën dhe as pasionin për peshkimin.

Na ndiqni në Instagram

“Kam martuar dy breza fierakësh”, thotë me krenari artisti i cili ka lënë gjurmë në jetën kulturore të Fierit.

“Më njohin si Llazin e këngës qytetare, Llazin e peshkimit dhe të dasmave. Them që më njohin për mirë, ia lëmë në dorë atyre”, tregon me buzëqeshje.

E presin provat për koncertin e radhës. Grupi ka pësuar transformime në 3 vitet e fundit. Llazi është më i vjetri që qëndron ende dhe jep kontributin e tij.

“Grupin e ri e kemi pagëzuar me emrin “Na bashkoi kënga qytetare fierake” sepse do performojmë nga të gjitha trevat e muzikës. Kemi marrë çmime shumë të rëndësishme si psh. në Elbasan kemi marrë çmim të parë në festivalin që bëhej në rang kombëtar, po ashtu morëm çmimin e parë në Prizren.

E mira e këtij grupi është që janë djem jashtëzakonisht të talentuar, të shkolluar dhe performojnë në mënyrë të shkëlqyer. Ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi, madje ndihem i privilegjuar. Nuk ka qenë e thjeshtë për ta mbledhur prap këtë grup sepse duhet të vinim në një balancë me grupin e parë që ka bërë goxha emër dhe këta çuna do të ishin pasuesit e tyre, sepse unë jam më i vjetri”, tregon 71-vjeçari.

Nuk është shkëputur në asnjë moment nga muzika, por edhe nga peshkimi me pushkë, i cilësuar si sport ekstrem.

“Detin e zotëroj mirë. Ndjesia që të jep ky sport kur zhytesh është një relaks i paparë. Është antistres, një mrekulli e vërtetë. Po u zhyte njëherë dhe pe bukurinë e detit, nuk ke për t’u ndarë asnjëherë. Muzika dhe peshkimi kanë ecur paralel. Po t’i ndërlidhësh të dyja, adrenalinën këto e kanë të përbashkët. Kur ti performon në skenë del para publikut, të cilët të duartrokasin dhe të duket vetja person i rëndësishëm, të njëjtën adrenalinë e ka deti. Deti ta jep pa spektatorë këtë adrenalinë. Je ti, deti dhe peshqit”, shprehet Llazi.

Po cilën do zgjedhë mes të dyjave? Ndiqeni emisionin e plotë në linkun e mëposhtëm.

Burimi: shqiptarja.com