Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me incidentin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme, më 30 maj, gjatë protestës kundër projektit në Zvërnec, ku punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit goditi me grusht njërin prej protestuesve.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari shprehet se edhe pse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt.
Po ashtu ai thotë se nuk duhen ndjekur penalisht vetëm rojet private që ushtruan dhunë ndaj protestuesit, por sipas tij duhet edhe “hetim administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar” për kompaninë e sigurisë për të cilën ata punojnë.
Madje ministri shton se kjo kompani duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.
“Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.”, shkruan ai.
Mes rreshtash, Lamallari sqaron se i gjithë projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare “as ka falur tokë, as ka tokë për të falur”.
Ministri i Brendshëm përshëndet edhe reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse sipas tij “nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend”.
Këtë të dielë, Policia ka njoftuar se ka arrestuar punonjësin e shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht njërin prej protestuesve. Po ashtu janë proceduar penalisht edhe dy punonjësit e tjerë, që ndihmuan të tërhiqnin zvarrë protestuesin.
Ndërsa ka nisur gjithashtu edhe hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Ngjarjet e së shtunës ndodhën ndërsa po mbahej një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, pasi janë të shqetësuar se mund të ketë pasoja të mundshme mjedisore.





