Home Aktualitet KE i akordon Shqipërisë 49 milionë euro në kuadër të Planit të...

    KE i akordon Shqipërisë 49 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

    Në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian ka dhënë 158,9 milionë euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.Zyra e Delegacionit të BE në Tiranë njoftoi se, Komisioni Evropian ka vënë sot në dispozicion 49 milionë euro për Shqipërinë, 44,2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

    Na ndiqni në Instagram

    “Kjo pason kërkesën e tretë për pagesë dhe vlerësimin pozitiv të Komisionit mbi hapat e reformës të zbatuar në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe arsimit dhe digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut”, njoftoi Delegacioni i BE-së në Tiranë.

    Gjithashtu zyra e Delegacionit të BE-së theksoi se “me disbursimin e sotëm, shuma totale e dhënë në kuadër të Instrumentit, sipas paketave përkatëse, arrin në 212,8 milionë euro për Shqipërinë, 89,3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142,1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut”.

    Në Shqipëri, reformat e vlerësuara nga Komisioni përfshijnë masa për përmirësimin e mjedisit të biznesit, lehtësimin e investimeve dhe inovacionit, si dhe zgjerimin e qasjes në financim, përfshirë për sipërmarrjet e reja dhe kompanitë aktive në sektorët e gjelbër dhe digjitalë. Nga 49 milionë eurot e disbursuara, 22,8 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura vihen në dispozicion për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në varësi të procedurave të zbatueshme të miratimit.

    Në Malin e Zi, Komisioni vlerësoi reformat në fushën e kërkimit dhe inovacionit, përfshirë mbështetjen për shkencëtarët, bizneset dhe institucionet kërkimore, si dhe forcimin e mëtejshëm të ekosistemit kombëtar të inovacionit. Nga 44,2 milionë eurot e disbursuara, 20,6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura vihen në dispozicion për projekte investimi përmes WBIF-së.

    Në Maqedoninë e Veriut, reformat e vlerësuara përfshijnë masa për përmirësimin e financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe masa për zgjerimin e qasjes në infrastrukturë digjitale dhe pajisje TI në shkolla. Nga 65,7 milionë eurot e disbursuara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura vihen në dispozicion për projekte investimi përmes WBIF-së.

    Fondet e dedikuara për WBIF-në, pasi të miratohen nga bordi i WBIF-së, do të mbështesin projekte infrastrukturore në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, zhvillimin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Projektet do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

    Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon t’u sjellë vendeve partnere të rajonit përfitimet e anëtarësimit përpara aderimit të tyre në BE. Ai synon integrimin e partnerëve në Tregun Unik të BE-së, çuarjen përpara të bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe rritjen e fondeve të para-anëtarësimit.

    Kjo, nga ana tjetër, përshpejton procesin e zgjerimit dhe rritjen ekonomike të partnerëve.

    Plani mbështetet nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, instrumenti i tij financiar me një paketë prej 6 miliardë eurosh. Çdo gjashtë muaj, partnerët raportojnë mbi progresin e tyre me reformat e zbatuara me mbështetjen e Instrumentit. Disbursimi më i fundit financiar lidhet me periudhën e tretë gjashtëmujore të raportimit, që mbulon reformat e zbatuara deri në fund të dhjetorit 2025.

    Financimi i përgjithshëm i dhënë në kuadër të këtij instrumenti që nga viti 2024 arrin në 673,6 milionë euro.

    Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) është thelbësore për zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Ajo kanalizon 3 miliardë euro në grante dhe hua në kuadër të Instrumentit për të mbështetur investimet prioritare në transport, energji, digjitalizim dhe kapital njerëzor.

    E krijuar 15 vite më parë, WBIF është një platformë e përbashkët financiare që bashkon Komisionin Evropian, organizatat financiare, shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjinë. Ajo kontribuon drejtpërdrejt në Strategjinë “Global Gateway” të BE-së.

    “Plani i Rritjes sjell një ndryshim real në jetën e përditshme të njerëzve në gjithë Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri, po bëhet më e lehtë të nisësh dhe të zhvillosh një biznes. Në Malin e Zi, shkencëtarët po marrin më shumë mbështetje për t’i kthyer idetë inovative në produkte konkrete. Në Maqedoninë e Veriut, nxënësit do të kenë qasje më të mirë në pajisjet moderne TI në klasa. Kjo tregon se si reformat përkthehen në përfitime të dukshme për qytetarët”, tha Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, njoftoi Delegacioni i BE-së në Tiranë.

    Agjencia Telegrafike Shqiptare.