Qindra besimtarë myslimanë në Fier kanë falur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, namazin e Kurban Bajramit në Sheshin Qendror të qytetit.

Ritit të faljes i ka paraprirë me fjalën e tij kreu i Myftinisë Mikel Hazizolli, i cili në fjalën e tij ka theksuar se Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.

“Kurbani është përkushtim, sakrificë, sinqeritet dhe nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrin me buzëqeshje, gëzim e paqe. Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, dhe sinqeritetit e devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj zotit. Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin”, tha Myftiu Mikel Hazizolli.

Ashtu si çdo vit besimtarët kanë kryer ritin e faljes dhe kanë shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje.
Sipas zakonit, në këtë ditë të rëndësishme për myslimanët, besimtarët kanë prerë kurban e një pjesë ua kanë shpërndarë njerëzve në nevojë, ndërsa në orët në vazhdim pritet të shtrojnë drekën e kësaj feste me të gjithë miqtë dhe familjarët.

Nga viti në vit kjo festë në Fier po bëhet edhe më masive pasi çdo ditë e më shumë besimtarë të të gjitha grupmoshave po i bashkohen besimit islam.





