Fermerët dhe blegtorët në fshatin Suk të Roskovecit po përballen me vështirësi të theksuara ekonomike.
Sipas tyre, skema aktuale e subvencioneve nuk është në favor të prodhuesve dhe nuk po i ndihmon në përballimin e kostove në rritje. Ata theksojnë se çmimi i lartë i naftës, shtrenjtimi i inputeve bujqësore dhe mungesa e fuqisë punëtore po e rëndojnë edhe më shumë situatën.
Për pasojë, shumë blegtorë janë detyruar të ulin ndjeshëm numrin e krerëve të bagëtive, ndërsa një pjesë e fermerëve kanë lënë tokat djerr. Sipas tyre, me çmimet aktuale nuk arrijnë të mbulojnë as kostot minimale të prodhimit, ndërkohë që shpenzimet për fara, plehra kimike dhe mirëmbajtjen e serave vijojnë të rriten.
“Subvencionet janë ulur ndjeshëm. Për serat kanë qenë rreth 400 mijë lekë për dynym, tani janë përgjysmuar dhe për sipërfaqe të vogla pothuajse nuk ka mbështetje. Jemi të paqartë dhe të pa informuar. Me çmimin e naftës kaq të lartë, jemi drejt falimentimit.”, shprehet një fermer i zonës.
Një tjetër problem madhor mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Sipas fermerëve, gjithnjë e më pak persona zgjedhin të punojnë në bujqësi, duke e bërë të pamundur përballimin e sipërfaqeve të mbjella.
“Nuk ka punëtorë. Kam reduktuar sipërfaqen e mbjellë dhe një pjesë të tokës e kam lënë pa punuar. Edhe ata që e marrin me qira nuk po e mbjellin, sepse kostot janë shumë të larta.”, shotë fermeri.
Edhe sektori i blegtorisë po shkon drejt tkurrjes. Fermerët shprehen se mungesa e punëtorëve dhe çmimi i ulët i qumështit po i detyron të heqin dorë nga aktiviteti.
Ndërsa një blegtor i zonës thotë: “E kemi lënë blegtorinë, nuk kishim fuqi punëtore dhe qumështi nuk shitej me fitim. Na e marrin lirë dhe dalim me humbje.”
Të gjendur përballë këtyre vështirësive, fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë se mund të braktisin serat dhe aktivitetin blegtoral, një situatë që rrezikon të thellojë më tej krizën në sektorin e bujqësisë.





