Dhjetra anëtarë të shoqatës “Pëllumbat e postës 2003” kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme në Fier, duke ngritur shqetësimin se po pengohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare jashtë vendit.
Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, shkak është bërë një shkresë zyrtare e dërguar nga KOKSH drejt doganave, ku pretendohet se anëtarët e kësaj shoqate nuk lejohen të zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare pa u regjistruar pranë federatës përkatëse.
Ata pohuan se janë një shoqatë e njohur ndërkombëtarisht, e organizuar prej vitesh dhe pjesëmarrëse në gara kombëtare e ndërkombëtare në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Europës dhe se sportistët udhëtojnë rregullisht me automjete e kafaze të pëllumbave drejt vendeve ku zhvillohen aktivitetet dhe më pas rikthehen normalisht në Shqipëri pa u penguar nga askush deri më sot.
Në kulmin e indinjatës ata pohuan njëzëri se disa javë më parë janë përballur me probleme edhe në kufirin me Kroacinë, ku u është bllokuar kalimi për shkak të kësaj situate administrative.
Ata theksuan se shoqata e tyre renditet mes më të mirave në botë për rezultatet sportive, ndërsa kundërshtojnë detyrimin për t’u regjistruar pranë federatës, duke argumentuar se funksionojnë si organizatë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht.
Përballë kësaj situate ata kanë pohuar se nëse do të ndalohen në doganë , do të përshkallëzojnë protestën e tyre.
Shqiptarja.com





