Eksperti i IT-së dhe një nga zërat aktivë të protestave të fundit në kryeqytet, Gent Progni, është paraqitur ditën e sotme në Policinë e Tiranës. Thirrja nga autoritetet vjen pas marshimit të ditës së djeshme, ku protestuesit marshuan në këmbë për kilometra të tërë duke u zhvendosur nga qendra e qytetit drejt rrugës që të çon në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Progni sqaroi para mediave zbardhjen e dëshmisë së tij, duke hedhur poshtë zërat se qëllimi i marshimit ishte bllokimi i aeroportit. Ai theksoi se destinacioni përfundimtar ishte mbikalimi i Kasharit dhe se aksioni kishte një mesazh të qartë simbolik për kryeministrin Edi Rama.
“Dhashë deklarimet e mia për protestën dhe marshimin e djeshëm. Tregova që synimi ishte mbikalimi i Kasharit dhe jo aeroporti. Kisha përgatitur mbi 100 flakadanë për të treguar që ne nuk dalim thjesht një shëtitje nëpër Tiranë, por jemi të vendosur të bëjmë edhe kilometra rrugë që t’i tregojmë Edi Ramës që nuk po tallemi dhe e kemi seriozisht”, deklaroi Progni.
Më tej, Progni ka zbuluar atë që ai e quan moto të kësaj revolte popullore, duke sulmuar të dyja palët e politikës tradicionale, ndërsa lëshoi një thirrje të fortë për bashkim përpara marshimit që pritet të nisë pas pak orësh.
“Motoja që ka protesta është ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Mos u përçani, bashkë jemi më të fortë! Sot mos harroni marshimin drejt kryeministrisë në orën 18:00”, përfundoi Progni.





