Gjatë takimit të organizuar në Apoloni me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Fier, Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit dhe protestat e zhvilluara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kreu i qeverisë e cilësoi lëvizjen qytetare si një kauzë të përdorur, duke theksuar se pas retorikës mjedisore fshihen përplasje më të gjera gjeopolitike dhe fushata dezinformimi.
Sipas kryeministrit, vëmendja e paprecedentë nga jashtë vendit nuk vjen nga shqetësimi i sinqertë për ekosistemin lokal, por për shkak se Shqipëria është kthyer në një pikë rëndese për interesa të ndryshme.
Duke analizuar profilin e protestuesve dhe thirrjet e përdorura gjatë tubimeve në kryeqytet, Rama sqaroi se nuk i konsideron qytetarët si të nxitur nga agjentura të huaja, por vlerëson se një pjesë e mirë e tyre kanë rënë pre e narrativave fiktive dhe manipulimit politik nga formacionet e reja.
“Nuk them se njerëzit që dalin në protestë janë agjentë apo të futur nga agjentura. Por përveç një pjese që janë këta politikanët e rinj të partive të reja që u vjetëruan shpejt, është edhe një pjesë njerëzish që kanë rënë pre e kësaj.
Ata që shqetësohen për mjedisin dhe që ‘Shqipëria nuk shitet’ ju duket gabimisht se bota është bota me ta. Gjithë ai sistem mediash në Evropë dhe Amerikë ju duket sikur po luftojnë për mjedisin e tyre. E menduar kështu është shumë naive.
”Kryeministri vuri në dukje se mbulimi masiv mediatik ndërkombëtar nuk justifikohet nga “dhimbja për flamingot e Zvërnecit”, por reflekton një përdorim të situatës së brendshme për agjenda të tjera.





