
Në kuadër të eventit përmbyllës të projektit “Shëndet për Barazi dhe Siguri – Forcimi i Reagimit Ndërinstitucional ndaj Dhunës me Bazë Gjinore në Fier”, bëmë bashkë institucionet kryesore vendore për të reflektuar mbi rezultatet, sfidat dhe hapat e ardhshëm në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

Gjatë këtij projekti 12-mujor, i zbatuar nga Qendra Epoka e Re, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit AGORA, dhe në partneritet me GADC, Together for Life (TFL) dhe IRCA, u zhvilluan trajnime, takime me gratë në qendrat shëndetësore dhe fushata ndërgjegjësuese në komunitet, duke sjellë më pranë qytetarëve informacionin dhe shërbimet mbështetëse.

Në forum morën pjesë përfaqësues nga Prefektura Fier, Bashkia Fier, Drejtoria Rajonale e Shëndetit, Drejtoria Vendore e Policisë, Drejtoria Rajonale e Arsimit, Zyra e Punës, Shërbimi Social, Qendrat Shëndetësore, si dhe organizata të shoqërisë civile.

Diskutimet u fokusuan në sfidat e evidentuara gjatë punës në terren, veçanërisht në zonat rurale, ku u theksua nevoja për:
🔹 më shumë ndërhyrje parandaluese;
🔹 forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional;
🔹 zgjerimin e shërbimeve të këshillimit psikologjik;
🔹 krijimin e qendrave komunitare mbështetëse për gratë, nënat e reja dhe familjet.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe ngjarjeve të fundit të dhunës mes të rinjve të publikuara në rrjetet sociale. Pjesëmarrësit ndanë mendimin se parandalimi duhet të fillojë shumë më herët, përmes aktiviteteve të përbashkëta ndërgjegjësuese, ku familja dhe shkolla të jenë në qendër të vëmendjes.

📌 Ky takim nuk shënoi fundin e një projekti, por fillimin e një angazhimi të ri për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe për të zhvilluar programe të qëndrueshme që mbrojnë gratë, fuqizojnë familjet dhe ndërtojnë komunitete më të sigurta.
🤝 Parandalimi i dhunës është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri ku çdo grua, çdo fëmijë dhe çdo i ri të ndihet i sigurt dhe i mbështetur.





