Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vidhishtë , ku 35-vjeçari Refit Buzi vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën, e më pas mori peng ish-të fejuarën dhe u arratis nga vendngjarja.
Vëllai i viktimës, në një reagim për media, ka deklaruar se vrasja ishte e paramenduar, kjo pasi ish-dhëndri i familjes kishte kërcënuar disa herë se, në rast se çifti nuk bashkohej, do të vriste familjen e saj.
“Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’.
Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku.
Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë.
I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar.Kur hyra brenda pashë tim vëlla të shtrirë atje…”, tha ai.
DINAMIKA E NGJARJES
Një djalë i ri është zhdukur sot në mëngjes, pak pasi shkoi te shtëpia e familjes së ish gruas së tij dhe hapi zjarr duke i kurrë jetën babait të bashkëshortes me të cilën është ndarë dhe duke plagosur rëndë nënën e saj. Nuk është mjaftuar me kaq, me armën e gjahut në krah, ka rrëmbyer ish gruan dhe janë larguar në drejtim të paditur me makinën e tij.
Çfarë ndodhi sot në mëngjes
Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht që është pjesë e bashkisë Roskovec në qarkun Fier, djali 35 vjeçar Refit Buzi, akuzohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin Kosta Plaka, 58 vjeç.
Jo vetëm kaq ai ka hapur zjarr dhe ka plagosur edhe ish-vjehrrën e tij, shtetasen Belere Plaka, rreth 55 vjeçe. Gruaja është plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Rozalinda Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes





