Home Aktualitet Ilva Mile:“transformimi i vuajtjes së një fëmije në një produkt konsumimi publik...

    Ilva Mile:“transformimi i vuajtjes së një fëmije në një produkt konsumimi publik përmes klikimeve”

    Ngjarja e rëndë e përfshirjes së tre vajzave të mitura në dhunimin fizik dhe psikologjik të bashkëmoshatares së tyre si dhe filmimi dhe shpërndarja e episodit duhet të na shqetësojë si shoqëri shumë përtej vetë aktit të dhunës. Në raste të tilla, problemi nuk është vetëm agresioni i ushtruar por edhe transformimi i vuajtjes së një fëmije në një produkt konsumimi publik përmes klikimeve, shpërndarjeve dhe komenteve.
    Nga këndvështrimi psikologjik, dhuna mes bashkëmoshatarëve rrallëherë lind në një vakum. Ajo është zakonisht rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve: vështirësive në zhvillimin e empatisë, modeleve agresive të zgjidhjes së konflikteve, nevojës për dominim brenda grupit, ndikimit të rrjeteve sociale dhe normalizimit gradual të poshtërimit publik si formë fuqie apo statusi social.

    Na ndiqni në Instagram

    Përgjegjësia nuk përfundon tek autorët e mitur të ngjarjes. Çdo person që e shpërndan videon, e ridërgon në biseda private apo e publikon për të gjeneruar klikime dhe komente, kontribuon në vazhdimin e traumës së viktimës. Për vajzën e dhunuar, përvoja nuk përfundon në momentin kur mbaron incidenti fizik por ripërjetohet sa herë videoja rishfaqet, komentohet apo shpërndahet përsëri. Nga perspektiva traumatologjike, ekspozimi publik i një episodi të tillë mund të jetë po aq dëmtues sa vetë akti i dhunës, duke rritur ndjenjat e turpit, poshtërimit, ankthit, izolimit social dhe humbjes së sigurisë në marrëdhëniet me të tjerët.

    Është e rëndësishme të shmangim tundimin për të demonizuar apo etiketuar fëmijët e përfshirë si “monstra” apo “kriminelë”. Fëmijët dhe adoleshentët janë ende në proces zhvillimi emocional dhe moral dhe sjelljet e tyre kërkojnë ndërhyrje edukative, psikologjike dhe familjare. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë për veprimet e kryera por nënvizon nevojën për të kuptuar faktorët që kanë kontribuar në zhvillimin e këtyre sjelljeve. Në këtë kontekst, mjedisi familjar përbën një element të rëndësishëm, jo për të kërkuar fajtorë të thjeshtë, por për të kuptuar modelet e komunikimit, menaxhimit të emocioneve dhe zgjidhjes së konflikteve që fëmijët mësojnë gjatë zhvillimit të tyre. Po aq të rëndësishme janë roli i shkollës, grupit të bashkëmoshatarëve dhe ndikimi i vazhdueshëm i mediave sociale në formimin e sjelljeve dhe vlerave.

    Kjo ngjarje duhet të shërbejë si një alarm për prindërit, shkollat, profesionistët e shëndetit mendor dhe institucionet. Fëmijët kanë nevojë të mësojnë jo vetëm matematikë dhe gjuhë por edhe empati, menaxhim emocionesh, respekt për kufijtë e tjetrit dhe përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tyre.
    Një shoqëri matet jo vetëm nga mënyra si reagon ndaj viktimës por edhe nga mënyra si zgjedh të mos e kthejë dhimbjen e saj në spektakël publik. Ndalimi i shpërndarjes së videos dhe raportimi i saj janë forma konkrete mbrojtjeje për një të mitur që ka nevojë për siguri, dinjitet dhe mbështetje, jo për një audiencë gjithnjë e më të madhe.

    Nga Ilva Mile, Psikologe.