Nëna me dy fëmijët u dogjën në banesë, e ëma e 24-vjeçares denoncon: Vajza dhunohej nga bashkëshorti

Nëna e 24 vjeçares të Bleona Çelaj e cila u dogj bashkë me dy fëmijët ka deklaruar për policinë e Shkodrës se vajza e saj kishte disa kohë që dhunohej nga bashkëshorti.

Edhe pse në kushtet e tronditjes psikike, nëna një ditë më parë ka dhënë këtë deklaratë për policinë vendore të Shkodrës.

Para disa muajsh, familja ka tentuar që ta marrë vajzën me dy fëmijët e saj, por 24 vjeçarja edhe pse fillimisht e ka kërkuar këtë gjë më pas është penduar duke vijuar të qëndrojë tek bashkëshorti i saj.

Bleona Çelaj nuk kishte celular dhe me familjen kishte komunikim të pakët duke qenë se jetonin në Gjermani.

Edhe dy familjet kanë patur një marrëdhënie të ftohtë duke mos komunikuar normalisht. Kjo marrëdhënie e tensionuar është vërejtur edhe ditën e djeshme kur ndodhi tragjedia ndërsa sot janë bashkuar për ceremoninë e varrimit.

Nga ana tjetër bashkëshorti ka deklaruar se “nuk kanë patur konflikte në çift,” ndërsa gjendja e tij psikologjike është tejet e rënduar pas asaj ngjarje të rëndë.

Pavarësisht pretendimeve për dhunë, grupi hetimor sipas veprimeve të kryera në vendngjarje, provave të mbledhura dhe ekspertizës mjeko-ligjore ka bindjen e plotë se djegia e nënës me dy fëmijët është aksidentale.

Hetimet

Në banesën e djegur me tri viktima mbërritën edhe ekspertë të zjarreve nga Tirana.

Sipas grupit hetimor, dhuna e pretenduar nga familja e vajzës nuk ka patur asnjë ndikim në ngjarjen tragjike pasi mendohet se bombola e gazit pas rrjedhjes që mund të ketë patur ka shpërthyer.

Aty ka patur edhe një shishe benzine duke ndikuar ndjeshëm në përhapjen e flakëve dhe eksplozionin e ndodhur.

Policia ka sekuestruar provat materiale, një copë të bombolës që është kryesorja dhe sende të tjera që janë gjetur jashtë të cilat janë dërguar në Tiranë për ekspertizë të mëtejshme.

Nëna me dy fëmijët ndodheshin vetëm në shtëpinë e braktisur në Domen të Postribës sepse bashkëshorti kishte shkuar në një market.

Çifti kishin disa ditë që ishin kthyer nga Gjermania teksa bashkëshorti është nënshtetas gjerman ndërsa Bleona ndodhej në proces dokumentacioni.

Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet ndërsa deri tani kanë hedhur poshtë mundësinë e vetëvrasjes dhe mbytjes së fëmijëve nga ana e nënës për shkak të dhunës së pretenduar apo ndonjë ndikimi tjetër duke e cilësuar këtë ngjarje të rëndë si aksidentale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *