Sport

Apolonia drejt kampionatit pa trajner, drejtuesit ende nuk japin zgjidhje

Apolonia drejt kampionatit pa trajner, drejtuesit ende nuk japin zgjidhje
FieriSot · Foto ilustruese

Për skuadrën e Apolonisë, faza përgatitore e deritanishme, së bashku me zhvillimin e pesë ndeshjeve miqësore, është menaxhuar në pankinë në mënyrë të përkohshme nga drejtori teknik i klubit fierak, indiani Noor Alam, i cili aktualisht mban njëkohësisht edhe detyrën e drejtorit teknik.ceceliaMegjithatë, prania e Alam në pankinë ka karakter tërësisht provizor dhe pritet të zgjasë vetëm deri në emërimin e trajnerit të ri. Sipas informacioneve të sigurta dhe konfidenciale që ka siguruar “Panorama Sport”, drejtuesit e Apolonisë kanë intensifikuar kontaktet për gjetjen e teknikut që do të marrë drejtimin e skuadrës në sezonin e ri.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se kontaktet janë orientuar kryesisht drejt tregut kosovar. Aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime me një prej alternativave të preferuara dhe pritet që marrëveshja të finalizohet brenda kësaj jave. Në ambientet e klubit fierak tashmë flitet se bëhet fjalë për një çështje ditësh, ndërsa mbetet vetëm të mësohet emri i trajnerit që do të marrë përgjegjësinë për drejtimin e Apolonisë.

Presidenti i klubit, Koço Kokëdhima, duket se është orientuar qartësisht drejt një trajneri nga Kosova. Edhe pse brenda strukturave të klubit janë shqyrtuar disa alternativa dhe janë vlerësuar kandidatura të ndryshme, aktualisht pista kosovare duket se është më e avancuara. Në miqësoren e fundit ndaj Tomorit, përveç drejtorit teknik Noor Alam, në pankinë ishin të pranishëm edhe dy trajnerë të ekipeve të zinxhirit të klubit, të cilët janë konsideruar si kandidatura potenciale për drejtimin e Apolonisë në sezonin e ri. Megjithatë, prania e tyre nuk duket se ka ndryshuar planin e drejtuesve, të cilët po punojnë për të sjellë në krye të skuadrës një trajner me eksperiencë nga futbolli kosovar.

CECELIA, EMRI QË ËSHTË PËRFOLUR MË HERËT

Një prej emrave që është përmendur më herët për pankinën e Apolonisë është ai i trajnerit kosovar Besart Cecelia. Para disa muajsh, në ambientet sportive ishte përfolur se Cecelia mund të merrte drejtimin e skuadrës fierake. Cecelia ka një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin kosovar, si në drejtimin e ekipeve të të rinjve, ashtu edhe në atë të skuadrave të niveleve profesioniste. Në fillim të vitit 2026, ai drejtoi Vorën U-19, ndërsa më pas kaloi te Basania, në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, pas disa muajsh, emri i tij nuk u përmend më në mënyrë intensive dhe pista dukej se ishte zbehur. Tashmë, nëse negociatat aktuale të klubit janë vërtet me të njëjtin trajner, atëherë mund të bëhet fjalë për një rikthim të kësaj kandidature në tavolinën e presidentit Kokëdhima.