Ka përfunduar axhenda dy ditore e takimeve të kryeministrit Edi Rama me drejtues politikë të qarqeve e ministra në Pogradec. “Kemi konsoliduar disa pozicione në pushtetin ekzekutiv, por dhe në grupin parlamentar” tha shefi i qeverisë në një lidhje live nëpërmjet rrjeteve sociale, pas 9 orësh takimi me drejtues të dikastereve.
Kryeministri theksoi “investimet” e bëra në raportin qeveri-qytetar nëpërmjet platformave të reja të komunikimit, “Pasqyra Albania” shoqëruar me dy degëzime për kontrollimin e funksionalitetit të kësaj teknologjie.
“Kemi përgatitur shumëçka tani, duke i dhënë dorën e fundit, pasi kemi punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar i asaj që nisi përpara se pushimet të ndërprisnin punën intensive të ditës. Kemi konsoliduar disa pozicione, qoftë lidhur me raportin qytetar-shtet dhe shtet-qytetar, këtu kam parasysh qeverisjen ekzekutive, por dhe shumicën parlamentare. Kemi konsoliduar pozicionin lidhur me qasjen e re të partisë në territor përmes pranisë besnike, kemi konsoliduar disa pozicione lidhur me risitë e vitit 2 në aspektin e programeve të qeverisë, të cilat shtrihen nga disa programe të reja. Ai më i spikaturi është i strehimit, për faktin që vjen si një gjë krejt e re dhe deri tek një sërë programesh të tjera që prekin faktikisht disa sektorë. Pa harruar dhe ecurinë e punës, që tanimë është puna e projektuar që në krye të herës“, tha Rama.
Në fokus të dy ditëve diskutime ka qenë dhe plani strategjik për qeverisjen në mandatin e 4-t “Besa” së bashku me “Praninë Besnike” që reflekton nga qeveria te qytetarët, “empati, shërbim dhe angazhim”.
“BESA është një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë. BESËN e shohim si një akronim dhe jo thjesht si fjalën më të vyer të thesarit të kulturës dhe historisë shqiptare. Do të thotë besim, empati, shërbim dhe angazhim. Me këtë togfjalësh kemi përcaktuar edhe hapat që do të ndiqen për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënien. Disponojmë 2 baza, baza teknologjike të marrëdhënies, që do t’i shtohet dhe pasqyra Albania, dritarja e vetme unike ku qytetari do të drejtohet, për t’u informuar në kohë reale që qeveria, shteti, edhe komponentët e gjyqësorit mund t’i bashkohen, për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te koncepti i “Shqipërisë sociale”, duke e lidhur atë me përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zgjerimin e mundësive për qytetarët.
“Jemi përqendruar tek krijimi i një zinxhiri i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Sot Shqipëria sociale është jo vetëm e rëndësishme, por fillon e bëhet e mundshme sepse janë shtuar mundësitë. Një Shqipëri sociale në gjërat që lidhen me gjërat që lidhen me cilësinë e jetës“, tha ai.
“Ajo protestë që ndodhi na ka sfiduar realisht, për aq kohë sa ishte qytetare. Aty u shfaqën njerëz që i çoi nevoja për të bashkuar zërin dhe për të thënë se ne meritojmë më shumë. Unë jam i bindur dhe optimist. Kjo tani më ngjan shumë me ato jashtënxjerrjet e zakonshme të opozitës së vetëasgjësuar. Dua të mos harroni, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, kurrë më e vlerësuar ndërkombëtarisht, nuk ka qenë kurrë më e mbështetur në mundësi reale për të bërë më shumë dhe kjo ka një arsye…“, tha Rama.
Në mbyllje Rama iu drejtua çdo komentuesi që ka diçka për të thënë për deformimin e hundës së tij duke rikujtuar dhunën që është ushtruar ndaj tij në Janar të vitit 1997, kohë kur sot kryeministri i Shqipërisë, ushtronte detyrës si pedagog në Akademinë e Arteve.
“Ka herë pas here njerëz që merren me asimetrinë në hundën time. Falë kontributit të algoritmit që ka ndërmjetësuar qenien politike të Shqipërisë, vjen ajo ironia e mallit, e drogës, e shtrembërimit… Ky është shenja që trupi im do ta mbajë gjithë jetën nga një tentativë për të fshirë nga faqja e këtij dheu ku unë kam lindur, ku jam rritur dhe ku jam sot këtu, sepse këtë gjurmë nuk e kam nga ndonjë arsye tjetër. Edhe kur nuk kisha asgjë në dorë, doja një vend që të rrinte drejt. Doja të jetoja në një vend që të mos i bënte bijtë e vet të ulnin kokën kur i pyesnin: “Nga je ti?”. Është për këtë vend që unë mbaj këtë gjurmën këtu. Jeni përgjithësisht më të rinj sesa ajo histori dhe nuk jam këtu për të treguar historinë time. Nëse ka një histori timen që një ditë mund ta tregoj, është për gjërat që nuk arrita të bëj dot”, tha Rama.
/tvklan.al

