Aktualitet

Reagon Fran Gjoka, organizatori i pritjes së Edi Ramës në Michigan

Reagon Fran Gjoka, organizatori i pritjes së Edi Ramës në Michigan
FieriSot · Foto ilustruese

Nga Fran Gjoka

Të nderuar shokë, miq, njerëz të gjakut tim dhe dashamirës!

Sot e ndjej të nevojshme të shkruaj dy fjalë, nisur nga stuhia e sulmeve dhe e baltës që është lëshuar pas takimit të Edi Ramës në Michigan.

Paska një përrua balte që pretendon të flasë në emër të së ardhmes. E nëse kjo qenka e ardhmja, më mirë mos qoftë kështu!
Unë jam krenar që kam pritur Kryeministrin e vendit tim. Jam po aq krenar për ju, miqtë dhe bashkëkombësit e mi, që më mbështetët dhe u bëtë bashkë me mua për ta pritur e përcjellë siç i ka hije një Kryeministri Shqiptar.

Një pjesë e kësaj zhurme vjen edhe nga disa që, me sa duket, u prishën planet vetëm nga ideja se unë mund të kandidoj në Pukë.
Qetësohuni! Nuk kam vendosur akoma asgjë.

Por nëse vendos, kush jeni ju që të më gjykoni pse dua të kontribuoj për vendlindjen time, për Pukën; gjakun e zemrës sime?

Për Pukën dhe pukjanët kam kontribuar edhe kur nuk isha në politikë. Nuk i kam harruar ata dhe as ata nuk më kanë harruar mua.

Kush mendon se me baltë, fyerje apo intimidim mund të më ndalojë? Jo, GABON!!!

Nëse vendos të kandidoj, do ta them vetë, publikisht dhe pa ekuivok. Dhe atëherë do të vë në dispozicion gjithë potencialin tim familjar, shoqëror dhe njerëzor, nga Amerika deri në Pukë.

Prandaj, kursejeni baltën. Sepse duke u përpjekur të ndyni tjetrin, në fund ndyni vetëm veten. Adresat fallco, shpifjet dhe armiqësia në rrjetet sociale nuk janë as argument, as alternativë dhe aq më pak e ardhmja që i duhet Pukës.

Rruga ime nuk ka lidhje me këtë banalitet.

Jetën time e kam ndërtuar me punë të ndershme pa i pasur borxh askujt dhe pa pritur që dikush të më tregojë nga duhet të ec.

Dhe një gjë ta kenë të qartë:

Nëse nuk më kanë ndalur dot deri sot, me baltë nuk kanë asnjë shans të më ndalin nesër.

Kur të vendos për rrugën time, nuk do ta merrni vesh nga adresat fallco.
Do ta dëgjoni nga unë. Dhe do ta shohim në fushë.

Dhe pas rreth 33 viteve në mërgim, së shpejti do bëj publike datën e ardhjes sime në vendin më të bukur në botë, në Atëdheun tim Shqipëri, në vendlindjen time të shtrenjtë Pukë!

“100-jet me m’pas dhan nana,
Pukës sime ja fal të tana.”/dritare.net