Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masa sigurie ndaj 14 personave, të dyshuar për ushtrimin pa licencë të veprimtarisë financiare në fushën e këmbimit valutor.
Hetimi, i zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 617 të vitit 2026, është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, përmes metodave speciale të hetimit dhe veprimeve të tjera procedurale.
Për 11 prej personave është caktuar masa “Arrest në shtëpi”, ndërsa tre të tjerë janë vendosur nën masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe, për dy prej tyre, edhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë dokumentuar 14 raste të subjekteve tregtare që dyshohet se ushtronin aktivitet këmbimi valutor pa licencën përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë kontrolleve në subjektet tregtare dhe banesat e administratorëve janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme:
4.461.000 lekë;
92.390 euro;
8.215 paund britanikë;
220 franga zvicerane;30 lira turke;
45 dirhamë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar gjithashtu një armë sportive tip pistoletë me zara plastikë, një armë antike tip pistoletë, një mjet i mprehtë antik me këllëf dhe një mjet i mprehtë metalik me bisht druri.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e secilit prej personave nën hetim, si dhe për të administruar dhe vlerësuar provat e mbledhura.

