Apolonia po kalon një moment të vështirë në startin e këtij kampionati. Pas katër javëve të para, skuadra fierake renditet në fund të tabelës, me vetëm një fitore dhe tri humbje, në një nga nisjet më të dobëta të saj në më shumë se tri dekada aktivitet zyrtar.
Humbja e fundit në Memaliaj ka bërë që drejtuesit e klubit të mblidhen urgjentisht për të analizuar situatën dhe për të marrë masa të menjëhershme.
Lëvizja e radhës ka qenë ndryshimi në pankinë, ku pas largimit të trajnerit të përkohshëm Noor Alam, i cili mban edhe detyrën e drejtorit sportiv, dhe më pas të Marenglen Metës, drejtimin e skuadrës ia kanë besuar Santiliano Dules.
Tekniku beratas vjen nga brenda klubit, ku prej tri sezonesh punon me ekipet e moshave.
Ai vlerësohet nga drejtuesit dhe sportdashësit fierakë për përgatitjen profesionale dhe, veçanërisht, për punën me talentet e reja.
Rezultatet e arritura me moshat dhe zbulimi i futbollistëve premtues, të cilët kanë tërhequr interesimin e klubeve kryeqytetase dhe atyre të huaja, kanë qenë ndër faktorët që i kanë dhënë besimin e drejtuesve.
Në favor të Dules ka ndikuar edhe përvoja e mëparshme në drejtimin e Tomorit, skuadrës së vendlindjes, të cilën e mori në drejtim në moshën 27-vjeçare.
Ambicioz dhe me karakter të fortë, ai ishte një kandidaturë potenciale edhe gjatë verës, jo vetëm për Apoloninë, por edhe për Tomorin dhe Naftëtarin.
Menjëherë pas prezantimit me skuadrën, Dule ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në aneksin e stadiumit, ku ka bashkëbiseduar edhe me futbollistët.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i ri ka falënderuar drejtuesit për besimin dhe është shprehur optimist për kapërcimin e situatës së vështirë.
DULE: APOLONIA, SI FAMILJE PËR MUA
“Apolonia është një familje për mua, pasi në këtë klub punoj prej tri sezonesh dhe jam plotësisht i ambientuar. Këtu kam zhvilluar një punë të madhe të përbashkët me kolegët dhe drejtuesit, ndaj më vjen mirë që më vlerësuan për aftësitë e mia profesionale dhe respektin maksimal që kam për klubin dhe këtë fanellë.
Duke më besuar drejtimin e skuadrës, presidenti dhe drejtuesit më kanë ngarkuar me një përgjegjësi të madhe, për të cilën jam plotësisht i vetëdijshëm. Megjithatë, besoj se së bashku me futbollistët do t’ia dalim të ringremë Apoloninë në vendin që i takon. Kam fatin që skuadrën e njoh shumë mirë, pasi me rreth 80 për qind të futbollistëve aktualë kam punuar te ekipet e të rinjve gjatë dy viteve të fundit.
Kemi një kontingjent cilësor dhe premtues, ndaj besoj se së bashku do ta përballojmë këtë moment të vështirë.
Krizën e rezultateve e konsideroj kalimtare, duke pasur parasysh potencialin e kësaj organike, por edhe mbështetjen dhe besimin që më kanë dhënë drejtuesit dhe sportdashësit fierakë”, ka përfunduar trajneri i sapoemëruar i Apolonisë, Santiliano Dule.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

