Lajme nga Fieri

E trishtë/ Ndahet nga jeta piktori i shquar fierak Minella Saro

E trishtë/ Ndahet nga jeta piktori i shquar fierak Minella Saro
FieriSot · Foto ilustruese

Me hidhërim të madh përcjellim lajmin e ndarjes nga jeta të piktorit të shquar Minella Saro (1934-2026).

I diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ai ja kushtoi jetën e tij gjinisë së pikturës dhe mësimdhënies së saj. Së bashku me kolegë të tjerë do të ishte një ndër themeluesit në Fier të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (1970) dhe Degës së Arteve Figurative pranë Shkollës Artistike ‘’Jakov Xoxa’’ (1981).

Minella Saro njihet si autor i dhjetra kompozimeve, pejsazheve dhe portreteve të ndryshme, nga të cilat mund të përmendim ‘’Mbledhja e taksave’’, pjesëmarrëse në Bienalen e Kajros më 1962, ‘’Mbledhja e Poçemit’’, ‘’Shpallja e pavarësisë’’, ‘’Njerëzit e ditëve tona’’, ‘’Vajzat dhe çadrat’’, etj.

Në profilin e tij krijues ai ishte një artist që shquhej për lirizmin, koloritin dhe freskinë e ngjyrës.

Tablo dhe punime të Minella Saros ruhen dhe ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Galerinë e Arteve Figurative ‘’Vilson Kilica në Fier, si dhe galeri dhe koleksione private në Shqipëri, Francë dhe vende të tjera të botës.