Sport

Kërcënime dhe kaos, arbitrat bojkotojnë kampionatin e boksit. Kryegjyqtari Baftjar Abazaj: Presione nga të gjitha llojet

Kërcënime dhe kaos, arbitrat bojkotojnë kampionatin e boksit. Kryegjyqtari Baftjar Abazaj: Presione nga të gjitha llojet
FieriSot · Foto ilustruese

Boksi shqiptar prej vitesh vijon të prodhojë rregullisht shfaqje dhune dhe kaosi, pak rëndësi ka nëse aktivitetet zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Vlorë apo në ndonjë qytet tjetër, pasi përfundimi ka qenë shpeshherë i njëjtë, me kërcënime dhe gushte, brenda dhe jashtë ringut.

Në shumë raste në shënjestër kanë qenë arbitrat, të përballur me dhunë verbale dhe fizike, me kërcënime nga më të ndryshmet si dhe me grushte.

Këtë herë skenë e një shfaqjeje të shëmtuar që nuk ka lidhje me sportit është bërë pallati i sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, aty ku gjatë fundjavës së kaluar ishin parashikuar të zhvilloheshin për tri ditë me radhë ndeshjet e kampionatit kombëtar.

Një aktivitet që këtë vit vinte me rivalitet shumë të lartë, me disa ekipe të përforcuara, të cilat kërkonin të ndërprisnin hegjemoninë dominuese të Vllaznisë në ring.

Por, pas dy ditëve të para, jo pa tension, në të cilat u mësuan edhe finalistët, gjithçka u pezullua.

Këtë herë ishin gjyqtarët ata që vendosën veton, duke refuzuar të arbitronin ndeshjet finale, të parashikuara për t’u zhvilluar mbrëmjen e së dielës.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, kryegjyqtari i kampionatit, Baftjar Abazaj, konfirmon presionet dhe kërcënimet jashtëzakonshme me të cilat janë përballur arbitrat në këtë aktivitet, që sollën rrjedhimisht edhe pezullimin e finaleve.

“Pati shumë probleme dhe për të shmangur të gjitha këto situata, duke qenë se ishin pesë ekipe në garë për titullin kampion, u mor ky vendim. Pati presion ndaj gjyqtarëve dhe në atë klimë nuk mund të arbitrohej”, shprehet Abazaj.

I pyetur se kush ishin autorët dhe se çfarë presionesh kishin marrë, kryegjyqtarë deklaron: “Presione nga më të ndryshmet nga të gjitha llojet. Ishin presione nga individë të ndryshëm, por gabimi më i madh ishte i organizatorëve të aktivitetit, nga Partizani, që nuk kishin marrë masat e duhura, duke sjellë edhe këto probleme që u krijuan”, shprehet Abazaj, i cili më tej shton: “Si kryegjyqtar, i vetmi me titull edhe ndërkombëtar, gjithashtu edhe si anëtarë i kryesisë së federatës, vendosëm që në kishte të tilla ishte e pamundur për t’i zhvilluar ndeshjet finale.

Të mërkurën pritet të zhvillohet mbledhja e kryesisë dhe do vendoset vendi dhe data për zhvillimin e finaleve. Ato do të zhvillohen në një tjetër datë të afërt dhe mendoj në një vend asnjanës.

Organizatorët që marrin këto aktivitete, ose ti dalin për zot, ose mos të marrim përsipër aktivitete të tilla, kur nuk janë në gjendje për t’i zhvilluar.

Këtë herë edhe pjesëmarrja e boksierëve ishte më e madhe, është ngritur cilësia, duke sjellë edhe një garë të ashpër, që më pas ka kaluar në presione dhe situata të tilla”, përfundon Baftjar Abazaj, gjyqtarë me eksperiencë shumëvjeçare në ringun shqiptar, duke bërë apel për uljen e gjakrave.