Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri sot thirrje për protestë ditën e nesërme, në orën 12:00, në mbështetje të revoltës studentore që prej ditësh po zhvillohet në Tiranë.
Përmes një deklarate nga selia blu, Berisha u ka bërë apel anëtarëve, mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se studentët duhet të kenë mbështetjen e plotë të shoqërisë shqiptare.
Berisha vlerësoi guximin dhe qëndresën e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve pjesëmarrës në protestë.
“Studentët në revoltën e tyre shumëditore kanë dëshmuar guximin e paparë ndonjëherë të qytetarëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Studentët në revoltën e tyre kanë gjunjëzuar narkoshtetin jo një po disa herë”, tha ai.
Sipas Berishës, gjatë protestave janë përdorur metoda të dhunshme ndaj pjesëmarrësve.
Kreu i PD-së deklaroi se protesta studentore nuk është një lëvizje e drejtuar nga motive të tjera, por një revoltë kundër korrupsionit, vjedhjes së zgjedhjeve dhe mbrojtjes politike të personave të përfshirë në afera korruptive.
“Nesër është një ditë prove në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar, e çdo banori të këtij vendi. Studentët në revoltën e tyre kërkojnë që të mbeten fëmijë të këtij vendi. Kërkojnë që ëndrrën e tyre më të bukur rinore ta ndërtojnë në Shqipëri dhe për Shqipërinë, për veten dhe familjet e tyre. Të gjithë me studentët, të gjithë në Tiranë, kjo duhet të jetë motoja jonë nesër”, tha ai.
I pyetur në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e afërta lokale, ndërsa Presidenti Begaj ka nisur konsultimet për caktimin e datës, Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk bojkoton zgjedhjet.
“Partia Demokratike ka deklaruar dhe deklaron se Shqipëria është një diktaturë autoritare, se Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm dhe se në Shqipëri nuk ka zgjedhje, por farsë zgjedhore. Duke deklaruar të gjitha këto, Partia Demokratike është e vendosur të shfrytëzojë çdo mundësi, çdo potencial brenda këtij sistemi diktatorial, për të luftuar të keqen e madhe që ka mbërthyer shqiptarët”, u shpreh Berisha.



Leave a Reply