Lajme nga Fieri

Shpërthen bombula e gazit në Roskovec/ Plagoset rëndë 75-vjeçarja, dëmtohet një kat i banesës

Shpërthen bombula e gazit në Roskovec/ Plagoset rëndë 75-vjeçarja, dëmtohet një kat i banesës
FieriSot · Foto ilustruese

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Roskovecit, duke lënë të plagosur një grua rreth 75 vjeçe.

Ngjarja ka ndodhur në banesën ku jetonte çifti i të moshuarve, Nexhip dhe Naile Sadiku. Sipas të dhënave paraprake, Naile Sadiku ka mbetur e plagosur në momentin që ishte duke ndezur sobën me gaz, ndërsa dyshohet se shpërthimi i bombulës i ka shkaktuar asaj djegie të shumta në trup.


Pas shpërthimit, në ndihmë të të moshuarve kanë shkuar fqinjët dhe të afërmit, të cilët kanë njoftuar menjëherë ambulancën. E plagosura është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin mjekësor për shkak të plagëve dhe djegieve të shkaktuara nga shpërthimi.


Forca e shpërthimit ka qenë e madhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Një kat i banesës ku jetonte çifti është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shkatërruar.


Sipas të afërmve, dy të moshuarit jetonin të vetëm në banesë, ndërsa djemtë e tyre ndodhen në emigracion.
Shpërthimi ka alarmuar edhe banorët e zonës. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit.