Sindikata e Universiteteve ka shpallur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha Universitetet publike, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që janë ngritur në protestë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Vendimi për bojkot u mor një ditë më parë nga Kryesia e Sindikatës, gjatë protestës së studentëve dhe pedagogëve, të cilët marshuan drejt Kryeministrisë, dhe refuzuan edhe dialogun e propozuar nga Rama.
Bojkoti nis nga sot dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, ndërsa pedagogët, sikurse ditën e djeshme, do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.
“Arsyet e bojkotit:
Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njejtat oipinione me studentet në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj.”, thuhet në njoftim.Sindikata kërkon që të ndalet menjëherë dhuna ndaj studentëve, hetimin e përdorimit të forcës nga ana e policisë ndaj tyre dhe plotësimin e kërkesave.
“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor, sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë.”, thuhet në njoftim.



Leave a Reply