02.11.2026Moti në Fier
Fieri Sot
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

“14 miliardë lekë më shumë nga xhepat e shqiptarëve”, Xhixho sulmon paketën fiskale të qeverisë

admin · 02.11.2026 · 4 min lexim

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha sot se paketa e re fiskale do të sjellë 14 miliardë lekë të ardhura shtesë në arkën e shtetit, të cilat do të përballohen nga xhepat e qytetarëve.

“Paketa e re fiskale çon në arkën e qeverisë plot 14 miliardë lekë më shumë, që do dalin nga xhepat e qytetarëve”, tha ajo.

Xhixho ngriti pikëpyetje mbi nevojën për rritjen e taksave, duke argumentuar se qeveria ka ende fonde të pashpenzuara dhe nuk ka realizuar investimet publike të planifikuara.

Duke iu referuar të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025, Xhixho deklaroi se janë evidentuar 135 milionë euro dëm ekonomik dhe efekte financiare negative.

“Paketa e re fiskale çon në arkën e qeverisë plot 14 miliardë lekë më shumë, që do dalin nga xhepat e qytetarëve. Kjo paketë fiskale vjen nga një qeveri që ka miliarda lekë të pashpenzuara dhe dëme financiare: atëherë PSE duhen shtuar taksa të reja? Pse i duhen qeverisë të ardhura shtesë, kur ajo nuk arrin të përdorë as paratë që ka në dispozicion?

Të ardhurat e vitit 2026 janë rreth 221 milionë euro mbi planin fillestar. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025, janë 135 milionë euro dëm ekonomik dhe efekte financiare negative. Pra, një qeveri që nuk realizon shpenzimet dhe investimet publike, kërkon sot më shumë taksa nga bizneset dhe qytetarët”, tha ajo.

Sipas deputetes, këto shifra dëshmojnë keqmenaxhimin e fondeve publike dhe mungesën e transparencës në përdorimin e parave të taksapaguesve.

Xhixho u ndal edhe te Bashkia e Tiranës, teksa theksoi se gjatë vitit 2025 nuk janë realizuar rreth 151 milionë euro investime të planifikuara, ndërsa është shpenzuar vetëm 48% e fondeve të parashikuara.

“Keqmenaxhimi bëhet akoma më i madh në Bashkinë e Tiranës. Institucioni nuk realizoi rreth 151 milionë euro investime të planifikuara gjatë vitit 2025, duke shpenzuar vetëm 48%, pra më pak se gjysmën e fondeve të parashikuara. Pra 52% e fondeve nuk janë shpenzuar. Këto shifra tregojnë qartë si funksionon babëzia e kësaj qeverie: Merr sa më shumë para nga xhepat e shqiptarëve dhe shpërndaji te klientët duke mos kryer asnjë investim të parashikuar”, tha ai.

Deputetja u ndal edhe te ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027.

“Paketa e re fiskale nuk garanton as uljen e çmimeve dhe as përdorim më të mirë të parave publike. Ulja e TVSH-së për ushqimet bazë në 6% me dizenjimin që kanë bërë nuk do të sjellë ulje të çmimit të produkteve te qytetarët. Ndryshimet e tjera do të shtojnë evazionin fiskal dhe kostot administrative për bizneset. Rritja e TVSH-së në 21% është një goditje e rëndë për bizneset dhe ekonominë shqiptare. Tatimi mbi fitimin rritet nga 15% në 17%. Tatimi mbi dividendin pothuajse dyfishohet, nga 8% në 15%. Ulet pragu TVSH nga 10 milionë lekë xhiro vjetore, në 5 milionë lekë”, tha ajo.

Ajo ngriti shqetësime edhe për efektet e ndryshimeve fiskale në klimën e biznesit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja, duke iu referuar paralajmërimeve të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.

Xhixho theksoi se heqja e taksës së qarkullimit nuk ka efekt pasi do t’i transferohet makinës dhe do të mblidhet përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor.

“Kjo qeveri nuk e ka pasur kurrë prioritet qytetarin. Marrim rastin e Malit të Zi, ku nga janari do të dyfishohen pagat dhe pensionet. Sepse Mali i Zi mbledh 40,3% të të ardhurave në raport me PBB, ndërsa Shqipëria 28,3%. Pra diferenca 12% ose 4 miliardë euro në vit tregon vjedhjen nga xhepat e shqiptarëve. Nëse në Shqipëri, kjo shumë shkon në xhepat e qeverisë dhe klientëve të saj, në Mal të Zi përdoret për të dyfishuar pagat dhe pensionet”, tha ajo.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *