05.11.2026Moti në Fier
Fieri Sot
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Sali Berisha, Gërdeci, 21 Janari dhe Drejtësia që vazhdon të vonojë! – Nga Vladimir Muçaj

admin · 05.11.2026 · 5 min lexim

Po e shoh me shqetësim agresivitetin që po merr protesta në Tiranë. Protesta është e drejtë demokratike dhe një instrument i domosdoshëm për t’i kërkuar llogari pushtetit. Por hunjtë, levat, molotovët, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimi i bizneseve nuk janë protestë për demokraci. Janë dhunë dhe duhet të trajtohen si e tillë. Megjithatë, përtej skenave të rrugës, Shqipëria ka një problem shumë më të thellë, që lidhet me Sali Berishën, historinë e qeverisjes së tij dhe mungesën e një përgjigjeje përfundimtare të drejtësisë për dy nga ngjarjet më të rënda të tranzicionit shqiptar: Gërdecin dhe 21 Janarin.
Sali Berisha kërkon të rikthehet në pushtet, të mobilizojë opozitën dhe të flasë në emër të drejtësisë. Por përpara se të kërkojë llogari nga të tjerët, mbi të rëndon një histori politike që nuk mund të fshihet me protesta, fjalime dhe molotovë. Gërdeci nuk ishte një aksident i zakonshëm. Ishte një tragjedi që mori jetën e 26 njerëzve dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Një aferë e lidhur me demontimin e municioneve, me përgjegjësi të rënda institucionale dhe politike, që ndodhi gjatë qeverisjes së tij. Përgjegjësitë penale individuale duhet t’i përcaktojë gjykata, por përgjegjësia politike e drejtimit të shtetit nuk mund të fshihet pas procedurave dhe kalimit të viteve. Familjet e viktimave nuk kanë nevojë për përvjetorë përkujtimorë dhe deklarata ngushëllimi. Kanë nevojë për drejtësi.
Dhe pastaj vjen 21 Janari. Katër qytetarë u vranë me armë zjarri përpara Kryeministrisë, në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër. Katër jetë të humbura në bulevardin kryesor të kryeqytetit, në një ngjarje që tronditi vendin dhe la një plagë të hapur në ndërgjegjen publike. Përgjegjësia e zinxhirit komandues, vendimmarrja e asaj dite dhe roli i drejtuesve më të lartë të shtetit duhet të hetohen deri në fund. Gjykata e Lartë urdhëroi regjistrimin e procedimit penal në SPAK, ndërsa Gjykata e Strasburgut kishte evidentuar detyrimin për të vazhduar hetimet dhe për të identifikuar personat përgjegjës. Megjithatë, familjet presin ende një përfundim të drejtësisë. .
Këtu qëndron edhe dështimi që rëndon mbi drejtësinë e re. Ajo u krijua dhe u mbështet me pritshmërinë se askush nuk do të ishte mbi ligjin, pavarësisht emrit, pushtetit apo ndikimit politik. Por vitet kalojnë dhe çështje me peshë të jashtëzakonshme publike vazhdojnë të presin përgjigje. Në korrik 2026, drejtuesi i SPAK konfirmonte se hetimet për Gërdecin dhe 21 Janarin vijonin, ndërsa për këtë të fundit pritej ende një ekspertizë nga autoritetet amerikane. Këto janë të dhëna që tregojnë se procedurat janë në zhvillim, por nuk e zbehin detyrimin për të dhënë rezultate dhe për të mos lejuar që koha të kthehet në një strehë për përgjegjësitë e pazbardhura. .
Nuk mund të kemi një drejtësi që është e shpejtë kur bëhet fjalë për disa emra dhe e ngadaltë kur përballë saj qëndrojnë ngjarje me pasoja kaq të rënda për shoqërinë shqiptare. Nuk mund të kërkojmë besim te institucionet, ndërsa familjet e viktimave të Gërdecit dhe 21 Janarit vazhdojnë të presin. Drejtësia nuk duhet të dënojë askënd për shkak të presionit publik, por as të lejojë që hetimet të zvarriten deri në lodhjen e shoqërisë dhe të familjarëve.
Berisha, ndërkohë, e ka kthyer përplasjen me drejtësinë në një pjesë të rëndësishme të betejës së tij politike. Ai ka të drejtën të mbrohet, të kundërshtojë akuzat dhe të protestojë. Por kjo nuk e përjashton nga llogaridhënia dhe as nuk i jep të drejtën të paraqitet si arbitër i drejtësisë për të gjithë të tjerët. Në një demokraci, asnjë lider nuk mund të kërkojë burgosjen e kundërshtarëve me vendim të turmës, ndërsa çështjet që lidhen me periudhën e pushtetit të tij mbeten pa një përgjigje përfundimtare.

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër përplasje ku secili kërkon burgun e kundërshtarit dhe askush nuk jep llogari për veten. Ka nevojë për një drejtësi që të shkojë deri në fund në Gërdec, në 21 Janar dhe në çdo aferë ku dyshohet për abuzim me pushtetin. Sali Berisha duhet të përballet me hetimin dhe gjykimin e çdo përgjegjësie që mund t’i provohet. Drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa frikë dhe pa regji politike.
Sepse Gërdeci nuk mund të harrohet, 21 Janari nuk mund të mbyllet në heshtje dhe drejtësia nuk mund të quhet e re vetëm nga emri, nëse qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi për tragjeditë e vjetra.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *